Drejtësi për Vesën

Varg e Vi në bashkëpunim me Teatrin e qytetit në Gjilan, vjen me projektin e ri – me skicimin teatror “Drejtësi për Vesën”, të realizuar për vetëm dy javë, me dramë nga Avni Shkodra, regji të Shkëlzen Berishës, skenografi të Din Azizit, foto dhe video të Migjen Fazliut, fjalën hyrëse të Avni Rudakut, kompozicionet muzikore dhe ndriçimin nga Alban Limoni & Fatmir Halili, me punëtorët teknikë: Suad Berisha, Fehmi Hoti, Medi Hoti & Haki Aliu, si dhe me vullnetarin Destan Destanin. Luajnë: Djellza Dema, Fitore Jashari, Florent Salihu, Gëzim Bucolli, Kushtrim Qerimi dhe Safete Mustafa Baftiu. Shfaqja është përkrahur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Varg e Vi ka pasur qejf të bëjë shfaqje teatrore, por nuk ka pasur shumë harxh, si dikur nënat tona që nuk kishin shumë harxh për ëmbëlsirë dhe shpresonin t’i pëlqente mysafirit në shtëpi.

Më 6 (e mërkurë), 7 (e enjte) dhe 8 tetor 2021 (e premte), ora 19:00, në Teatrin e qytetit në Gjilan, për shkak të natyrës së shfaqjes dhe të masave kundër pandemisë COVID-19, rezervimi paraprak për shfaqje do të jetë i obligueshëm për teatërdashësit. Rezervimet bëhen prej 5 tetorit e deri më 8 tetor (e martë, e mërkurë, e enjte, nga 10:00-20:00 dhe të premten deri ora 18:00), në nr. e tel. 045222525***

Në “Drejtësi për Vesën”, trajtohet vrasja e një sportisteje nga një biznesmen i paligjshëm, i cili ushtron prostitucion në një klub masazhi në Kosovë – biznese këto të përhapura shumë kohëve të fundit në Kosovë, e disa nga to të dënuara edhe për trafikim me qenie njerëzore. Krimineli duke shfrytëzuar lidhjet e tij me një gjykatës, e paraqet atë si vetëvrasje, duke nxitur edhe reagim qytetar. Vrasja e gruas, feminicidi, apo më saktësisht, gjinorocidi, është krim dhe me dënime të pafalshme, thjesht nuk është as statistikë dhe nuk është as lojë.