Kalaja e Pogragjës

Audiodokumentari “Kalaja e Pogragjës”

Kalatë si kulla të rrethuara me mure, ishin kryesisht për mbrojtje nga armiqtë, për të ruajtur zotërimet e jetën e mbretërve, princërve, skllavopronarëve, feudalëve apo fisnikëve, e sidomos pas shembjeve perandorake, kur rendi i ri politik e shoqëror ende nuk po lindte e kishte shumë trazira e përplasje princësh për toka e pushtet, nga dyndje fisesh e popujsh që kërkonin jetë më të mirë e plaçkën e kohës, ndërsa sot janë të mbrojtura nga shumica e shteteve, si trashëgimi kulturore, historike, arkitektonike e arkeologjike, mbi lavdet e dikurshme, si rrugëtim nëpër historinë dhe kujtesën kolektive dhe dëshmi e civilizimit e vazhdimësisë fisnore, etnike e kombëtare. Kalatë për skllevërit, bujkrobërit e të varfërit, ishin edhe sinonim i shtypjes, me punë të rënda fizike e ngarkesa psikologjike, shpesh larg familjeve, një set vuajtjesh të pafundme.

Kalatë lindën sidomos në kohën kur përmes strukturave të drurit e gurit, synohej mbrojtja e mbretit e princërve. Çdo detaj ishte i rëndësishëm: nga krijimi i pengesave përreth mureve të jashtme, e deri në ulësen e fronit brenda kalasë. Dritaret ishin kryesisht në funksion të shigjetave e vrojtimit, sesa ajrosjes si sot. Porta e kalasë ishte pjesa më e dobët e mbrojtjes, por edhe kjo ishte e menduar me finesa: nëse edhe do të pushtohej kalaja, të mbrohej deri në pikën e fundit, me urën lëvizëse, me vrimat prej nga mund të dilnin shigjetat prej harkut për sulmuesit dhe derën mbrojtëse që lëshohej nga lart-poshtë.

Kalatë ranë me fillimin e përdorimit të barutit dhe topit të zjarrtë, nga tregtia e kinezëve me evropianët. Baruti çmontonte muret prej guri të kalave, prandaj kalatë e humbën rëndësinë e mbrojtjes nga armiqtë dhe u bënë më shumë simbol i krenarisë e luksit të mbretërve. Në analogji me shprehjen e stërnjohur: “Vdiq Brus Llia, kur doli alltia”, mund të thuhet edhe për kalatë: “Vdiq kalaja, kur doli baruti”.

Projekti “Kalaja e Pogragjës”, përmes audiodokumentarit me kufje wireless, na dërgon në Antikitetin e Vonë e Mesjetën e Hershme e të Vonë, në mendimet e bestytnitë e përmbledhura nga populli, me pasion të fuqishëm prej Sherafedin Kadriut, nëpër përvojën e fëmijërisë së brezit të ri e të mesëm, me intervista e histori gojore, me rrëfime të banorëve të Pogragjës e Gjilanit. Audiencës i ofrohet një mundësi, që ta kthejë vëmendjen kah Kalaja e Pogragjës, me thirrjen ndaj institucioneve të shtetit e Komunës së Gjilanit, për qasje më adekuate ndaj kalasë. Kalaja e Pogragjës ka nevojë për një berber, për një qethje të vazhdueshme, për një gjallëri tjetër, për të ecur nëpër histori pa u penguar. Në këtë kala, janë gjetur edhe monedha të shekullit të tretë të erës sonë, kur ishte Perandoria Romake, e më pas u rindërtua në fillimin e hovshëm të Perandorisë Bizantine, e për të vazhduar edhe me interpretime e besojma për shekullin e XIV, në perëndim të Bizantit e fillimet e Perandorisë Osmane. Nga kodra e Kalasë së Pogragjës, shihej nga larg se kush po vinte e kush po shkonte në Ulpianë, Scup (Shkup) e Naissus (Nish).

Varg e Vi përmes këtij projekti, i kthehet trashëgimisë kulturore e historike, ku përmes kalasë, na fton të mbrohemi nga armiku i sotëm: vetja jonë. Ne tash duhet t’i mbrojmë kalatë më së shumti nga neglizhenca, shpërfillja dhe amatorizmi; nga bimësia e egër dhe mirëmbajtja shkel e shko.

Projekti nga: Varg e Vi
Viti: 2020
Emërtimi: Kalaja e Pogragjës
Përgjegjës i projektit: Avni Shkodra
Autor i audiodokumentarit: Avni Rudaku
Realizues i sinjalizimit vertikal kulturor: Din Azizi
Dizajni dhe komunikimi me publikun: Migjen Fazliu
Audioinxhinier: Valdrin Halimi
Narrator: Ridvan Hamza
Sponzore: MKRS/Kosovë

Referencat e audiodokumentarit:

Kadriu, Sh. (2008). Kalaja e Pogragjës. Gjilan: QRTK.
Kala. Në Fjalor shqip-shqip: http://www.fjalorshqip.com/
Intervistat me: Sherafedin K., Blerim H., Arton F., Ismet A., Agim K., Fitim G., Alban Rr. dhe me shumë banorë të tjerë të Pogragjës e Gjilanit.
Osmani, J. (2004). Vendbanimet e Kosovës 6, Gjilani. Prishtinë.
QRTK (2016). Trashëgimia Kulturore e Rajonit të Gjilanit. Gjilan.
Shukriu, E. (2004). Kosova antike. Prishtinë: MASHT.
Stankoviq, B. B. (1975). Pomoravle e Kosovës në revolucionit e vitit 1941-1945. Nish.
Shoqata Pogragja – Zvicër në Pogragja.com
Wheatley, A. (2004). The Idea of the Castle in Medieval England. London: York Medieval Press.