LIDHJA E SHKURTËR

Koncepti

Pjesa I
21 mars-4 prill 2022, Gjilan, Galeria e qytetit

Secilit prej nesh i kujtohen urdhrat e prindërve për të mos prekur objektet apo gjithçka tjetër që lidhej me prizat. Prizat u bënë tabu e kahershme. Na lindi edhe frika prej krejt elektricitetit, e veçanërisht, prej “spojit”, lidhjes së shkurtër. “Mos e prek, se bën spoj”, dëgjohej shpesh në familjet tona, e dikur përtej tyre. Në aspektin e energjisë elektrike, lidhja e shkurtër është çasti kur energjia elektrike udhëton në një rrugë alternative për në qarkun elektrik, jashtë rrugës së caktuar për të qarkulluar. Nëse kjo rrjedhje është e tepërt përgjatë kësaj rruge, atëherë do të kemi probleme në furnizimin me energji elektrike. Rryma kthehet në tokë me një rrugë më të shkurtër, që mund të shkaktojë zjarr, djegie, shkëndija elektrike, xixa, por edhe pasoja të rrezikshme në njerëz. Njësoj me energjinë elektrike, edhe për energjinë seksuale, ka një mori kërkesash, ndalesash, preferencash e fantazish, deri në çrregullime të koduara nga autoritetet shkencore.Ekziston edhe lidhja e shkurtër në seksualitetin njerëzor, jashtë rrugës së caktuar shoqërore dhe kulturore për t’u furnizuar, eksituar, shprehur e çliruar. Lidhja e shkurtër në seksualitet varet nga: 1) vetëraportimi për vetëvuajtje, 2) raportimi nga të tjerët për vuajtje, 3) hegjemonia dominuese e shumicës, 4) ndikimi nga autoritetet shkencore, 5) kultura… Në shumë teori dhe manuale klinike mbi seksualitetin, hasim shprehje të energjetikës, si: energji, tension, shkarkim, ngarkim, impuls, rënie, ngritje. Manualet më autoritative ndërkombëtare të diagnozave të çrregullimeve parafilike, seksuale e gjinore, si DSM-5 nga Shoqata e Psikiatërve Amerikanë, ICD-11 nga OBSH, CCMD-3 nga Shoqata Kineze e Psikiatrisë etj., përditësohen kryesisht pas çdo 10 vjetësh e më shumë. Në këtë vit, 2022, hyri në fuqi versioni më i ri i ICD-11. Në fund të muajit mars të këtij viti kur po ekspozohet “Lidhja e shkurtër”, do të botohet teksti i rishikuar i DSM-5-TR për të gjitha çrregullimet, e edhe për ato seksuale.

Përveç manualeve, se cilat mënyra të përmbushjes seksuale krijojnë lidhje të shkurtër, varet edhe nga diskrecioni i vetë mjekëve, nga vetë interpretimi i manualeve dhe përshtatja unike për çdo rast klinik. Rastësisht, në këtë muaj të “Lidhjes së shkurtër”, shpërtheu edhe debati për bashkësitë civile të seksit të njëjtë, që paralajmërohej me miratimin e Projektkodit Civil në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e që nuk kaloi nga shumica. Për çdo sjellje, përgjigje, fantazi, normë ligjore e kulturore, çrregullim seksual, si dhe për operim me konceptet “seks” (biologji, anatomi) dhe “gjini” (sociologji, shoqëri) në sjellje normale dhe anormale, gjithçka është lidhur me mediumin e njëjtë: një spinë për të simbolizuar mashkullin pasi ka dy kunja të metaltë në një kokë të izoluar e të mbërthyer në tel siç e përshkruan edhe fjalori, ngjashëm me penisin, si dhe prizën – pajisje me dy vrima, ku futet spina për të lidhur një aparat me burimin e rrymës elektrike, përkatësisht rrymës seksuale.

Pjesa II

Duke përdorur spinat dhe prizat e rrymës elektrike, formohet tablo e një shtëpie, lagjeje, qyteti, shoqërie, shteti dhe bote multiseksuale, multikulturore, multietnike, që ka spina e kabllo njëfishe, dyfishe dhe shumëfishe dhe po aq priza me vrima, pa nevojën për të marrë domosdo lidhje të shkurtër dhe se ka rrugë të ndryshme për të përçuar energjinë elektrike (seksuale) dhe te secili prej nesh ekziston fantazi se si marrim e japim energji, për të arritur çlirimin seksual dhe për të shmangur lidhjen e shkurtër. Por në diçka nuk ka kompromise as në manualet e çrregullimeve: të vuash dhe t’i bësh të tjerët të vuajnë, ose të bësh diçka pa vullnetin reciprok. Për këtë arsye, krejt veprat janë ndarë në disa kategori, duke aluduar në lidhje të kombinuara e të pranuara universalisht gjithkund, ato të pranuara diku e të kundërshtuara diku tjetër dhe çrregullimet parafilike të papranueshme thuajse kudo.

“Lidhja e shkurtër” tregon diversitetin seksual nga trajtat më të zakonshme e deri në ato që janë të çuditshme dhe marrin “spoj” diku, por jo edhe diku tjetër, në një shtet apo kulturë tjetër. “Lidhja e shkurtër” e fillon me instalimin “pedofil” dhe e përfundon me instalimin “disfunksion seksual”, për ta filluar me tronditje dhe çrregullime parafilike, e për ta përfunduar me një gjë: mungesë, vonesë dhe dhembje gjatë përgjigjes seksuale. Në mes, janë disa forma të energjisë seksuale, të pranueshme kudo, si dhe disa të fundit, të pranueshme diku, e të refuzueshme diku tjetër. “Lidhja e shkurtër” e konkretizon dramën e seksualitetit njerëzor me të njëjtin medium në 32 instalacione të artit konceptual. Refuzohet edhe veprimi fallucentrist në Irak para disa vjetësh, ku një grup teoshovinist kishte dënuar perimeshitësit në rast se nuk ndanin domatet nga trangujt me një mjet ndarës në raftet e dyqanit, sepse sipas tyre, trangujt janë si penisa e domatet si vagina, prandaj një akt i tillë ishte turp në hapësirën publike.

Përmes “Lidhjes së Shkurtër”, i kundërvihemi talljes së aktit të ngrënies së bananeve nga vajzat në hapësirën publike, për shkak të asociacioneve me seksin oral, pasi kjo e seksualizon teprueshëm frutin dhe i përjashton disa fruta nga hapësira publike; i kundërvihet edhe seksualizimit total përmes pornografisë, ku është seksualizuar secili autoritet, profesion, uniformë, marrëdhënie dhe situatë ndërnjerëzore. Nëse trangujt, domatet, bananet etj., shihen si organe gjenitale njerëzore, “Lidhja e Shkurtër” do të ofrojë spinat dhe prizat, për të mos i parë më vetëm si kabllo e priza, por do të shkaktojnë edhe eksitim seksual! Spinat dhe prizat do të jenë të barabarta me bananet, akulloret, trangujt dhe domatet në hapësirën publike, përmes përdorimit të tyre në hapësirën e brendshme private e publike.