Talia e Flakës – 2022

Nga 23 janari e deri më 28 janar, në kuadër të “Flakës së Janarit”, Festivali i Dramës Kombëtare Shqiptare “Talia e Flakës”, ka kënaqur publikun me shfaqje teatrore për çdo mbrëmje në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Për gjashtë mbrëmje me radhë, skena e teatrit nuk pushoi dhe spektarorët morën emocione shumë të forta nga interpretimi i aktorëve, vizuelizimi skenik, koncepti regjisorial, rrëfimi dramaturgjik, kostumet e aktorëve, ndriçimi i skenës dhe çdo gjëje tjetër në skenë, qoftë edhe një rekuizitë.

Nga vendimit e jurisë në përbërje të Arian Krasniqit, Elmaze Nurës dhe Shkurtë Aliut u ndanë çmimet për kostumografinë më të mirë, skenografinë më të mirë, aktorja më e mirë në rol dytësor, aktori më i mirë në rol dytësor, regjia më e mirë, shfaqja më e mirë dhe teksti më i mirë në festivalin e dramës “Talia e Flakës”.Në fund, falënderojmë të gjithë të përfshirët në bashkëpunimin për organizimin e festivalit, duke nisur nga mirëbesimi që krijoi Varg e Vi me Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Teatrin e qytetit.

Ishte hera e parë që përmes një thirrjeje publike nga vendimi i mëhershëm i qeverisjes së kaluar lokale e zbatim të qeverisjes së re gjilanase, që sektorë të veçantë të “Flakës së Janarit 2022”, të organizohen e drejtohen nga OJQ-të kulturore. Ne kishim nderin që për herë të parë të bënim një koorganizim të veçantë me Komunën e Gjilanit, që “Peneli i Flakës” në bufenë e Teatrit të qytetit të organizohej nga Varg e Vi, si dhe “Talia e Flakës” në bashkëorganizim me Teatrin e qytetit dhe zyrtarë të tjerë të DKRS-së.

Po ashtu, në “Talia e Flakës”, bashkuam forcat me Teatrin e qytetit dhe aranzhuam Festivalin e Dramës Kombëtare Shqiptare, ku u përpoqëm brenda një periudhe të shkurtër, të bënim ca ndryshime të vlefshme, aq sa mundëm.

Pandemia COVID-19, vala e përhapjes së variantit të fundit në janar e përzierja me gripin sezonal, vendimi i Qeverisë që hyri në fuqi më 22 janar, një ditë para fillimit të Talia e Flakës 2022, rritja masive e numrit të rasteve të reja me koronavirus, do të mbahen mend për vitin e dytë me radhë të festivalit të përvitshëm, pasi që Teatri i Korçës anuloi pjesëmarrjen nga kushti për dy doza dhe testin PCR për hyrje nga Shqipëria në Kosovë, si dhe rezultimit pozitiv të dy aktoreve nga dy ekipet teatrore të Teatrit të Ferizajt dhe të “Integras”.

Pas çdo shfaqje, ishte planifikuar edhe koktelli dhe argëtimi nga bendi i njëjtë muzikor dhe vokalistët e ndryshëm, por që pas natës së parë të përfundimit të shfaqjes “Viganët”, u ndërprenë të gjitha ndejat për shkak të masave kundër koronavirusit. Falënderojmë krejt bendin dhe vokalistët, duke filluar nga: Valdrin Halimi, Lumturie Shabani, Reshat Beqiri, Premtim Selimi dhe Premton Maliqi.Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në “Penel dhe Talia e Flakës”, veçmas drejtuesit dhe punonjësit e Teatrit të qytetit, anëtarët e Varg e Vi-së dhe publikun teatërdashës të Gjilanit!

Shkoftë e mos ardhtë më pandemia COVID-19!
Paçim organizime edhe më cilësore dhe me planifikime më afatgjata të Flakës së Janarit 2023, e jo me nguti e me kohën pisk!Nëse do të kishim fuqi për të ndryshuar diçka urgjentisht në “Talia e Flakës 2023”, do të jetë: pjesëmarrja me ftesa dhe hyrja e publikut veç me bileta për t’ia mundësuar çdokujt që dëshiron të shoh shfaqjet e festivalit, përmes një njoftimi të detajuar publik! Dhe me një vëmendje të posaçme, për një shfaqje nderi e respekti, vetëm me ftesa të përfaqësuesve të familjeve të dëshmorëve, heronjve, invalidëve të luftës, martirëve dhe personaliteteve që japin gjithçka nga vetja për të mirën e përgjithshme të qytetit, kombit, shtetit e njerëzimit! Pa harruar asnjëherë për gjithë ata dhe ato që e filluan si me shtëpitë-shkolla, për shtëpitë-kulturë, për shtëpitë-galeri, për shtëpitë-teatro në Bresalc, Përlepnicë e Gjilan nga viti 1991!

Çmimet e festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2022”

Shfaqjet

Juria në “Talia e Flakës 2022”

Arian Krasniqi – anëtar
Shkurtë Aliu – anëtare
Elmaze Nura – Kryetare e jurisë

Përurimi i dramava të botuara

Në skenën e vogël apo bufenë e Teatrit të Gjilanit, u bë promovimi i gjashtë dramave të shkruara nga krijimtaria e Laboratorit të Dramës Shqipe të edicionit të parë 2020/21 dhe poashtu edhe leximi skenik i dramave të edicionit të dytë të Laboratorit të Dramës 2021/2022. Një projekt i jashtëzakonshëm i Teatrit të Gjilanit, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Qendrës Multimedia, Teatrit “Adriana” dhe Etno Teatrit – Kukaj. Pjesëmarrësit në këtë laborator, janë përfshirë në një proces kreativ të shkrimit të dramës, bashkë me mentorin/profesorin Fadil Hysaj.

Dramat e pjesëmarrësve janë botuar në një vëllim dhe u përuruan në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2022”, kurse tri prej tyre, të konsideruara si më të mirat të shkruara gjatë këtij procesi, do të përkthehen në anglisht, do të shpërndahen dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë EURODRAM. Këto drama do të konsiderohen si potencial për inskenim në njërin prej teatrove partnere në Laboratorin e Dramës. Arritja e këtyre dramave në duart e lexuesve, regjisorëve e aktorëve, dhe promovimi në kuadër të “Talia e Flakës” dhe nënprogramit Flaka iNTERAKTIVE, u bë nga bashkëpunimi në mes të Teatrit të Gjilanit, Teatrit Kombëtar të Kosovës, Qendrës Multimedia, Teatrit “Adriana” dhe Etno Teatrit – Kukaj, kurse krijuesit e dramave u mentoruan në laboratorin e muzave, nga profesori Fadil Hysaj.

Dramat janë në një vend, në një libër dhe kjo krijon diversitet të hatashëm të shkrimit të dramës dhe mundësive të shumta në përzgjedhje të ardhshme për inskenim lokal e ndërkombëtar, veçanërisht lehtësimit të daljes jashtë vendit edhe përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë EURODRAM. Dramat do të jenë edhe në gjuhë të huaj angleze, duke u dhënë shumë mundësi shkruesve të dramës të bien në duart e regjisorëve të huaj evropianë e më gjerë.


Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2022”
23 – 28 janar 2022
Varg e Vi

Drejtor ekzekutiv i Varg e Vi-së: Avni Shkodra
Drejtor i Teatrit të qytetit: Erson Zymberi
Dizajni dhe fotografitë: Migjen Fazliu
Tekstet: Avni Rudaku
Koorganizatorë: Qëndrim Kçiku dhe Florent Salihu
Stafi teknik i teatrit: Fatmir Halili, Florim Gagica, Suad Berisha, Fehmi Hoti, Medi Hoti, Mirvete Baftiu, Haki Aliu
Përkrahur nga: Komuna e Gjilanit (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport & Teatri i qytetit)

Gjilan, mars 2022