Talia e Flakës 2023

Talia e Flakës 2023/Festivali i Dramës Origjinale Shqipe

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2023” u organizua për dy vjet radhazi nga Varg e Vi (2022 dhe 2023) pas aplikimit të suksesshëm me projekt unik në thirrjen publike për OJQ-të kulturore nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Fillimisht është kontraktuar një seleksionuese e shfaqjeve pjesëmarrëse, aktorja Aurita Agushi, të cilat shfaqje mandej janë ftuar për pjesëmarrje në festivalin teatror “Talia e Flakës 2023”.Prej datave 23 deri më 28 janar u dhanë 6 (gjashtë) shfaqje teatrore në programin qendror, nga ora 20:00, si shfaqjet në vijim: “Fausti”, “Nyjat”, “Toka e Shpirtrave të trazuar”, “Burrnesha”, “Babai dhe Babai” dhe “Pak pakt ”. Shfaqja “Burrnesha” është dhënë në dy termine, edhe nga ora 18.00, për shkak se ka qenë shfaqje kamertale, në skenë, dhe për arsye të interesimit të lartë të publikut dhe numrit të kufizuar të ulëseve, me dy termine, iu ka mundësuar më shumë spektatorëve për të parë shfaqjen në kuadër të festivalit.

Natën e parë e hapën: Fatmir Shurdhani nga Shoqata “Hendikos” në Gjilan dhe Drejtori i organizatës “Varg e Vi”, Migjen Fazliu, ndërsa aktorja më e vjetër e qytetit, për shkak se kishte rol në shfaqjen e parë të festivalit “Fausti”, kërkoi me mirësjellje të mos ishte pjesë e hapjes zyrtare të festivalit.Në natën e parë dhe të parafundit të festivalit teatror, prezent ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri.Juria vlerësuese ishte në përbërje nga dy profesionistë të fushës teatrore dhe një artdashës nga publiku, duke e përfshirë kështu edhe audiencën në vendimmarrje për vlerësimin e shfaqjeve.Projektit i ështe shtuar edhe shtëpiza nga druri, e vendosur në platonë e teatrit, e financuar jashtë mjeteve të komunës, si resurs i organizatës Varg e Vi në shërbim të festivalit, për të komunikuar kështu në mënyrë më direkte me publikun, duke i informuar ata për programin e festivalit e duke i pajisur edhe me bileta falas prej orës 12:00 deri në orarin e shfaqjes për çdo ditë e mbrëmje.Vlerë e shtuar e festivalit ishin edhe vullnetarët nga organizata “Zëri Rinor”, të cilët komunikuan me qytetarët, të cilët vinin tek shtëpiza prej druri “Talia Info”.Në fund, juria vlerësoi më të mirët, ndërsa vendimi i jurisë u bë publik më 31 janar, në ora 18:00 nga shtylla e “Gala mbrëmjes” në restorant “Planet”.U dhanë 5 çmime, si: Teksti më i mirë, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, roli më i mirë dhe inovacioni më i mirë teatror.

Çmimi për SHFAQJEN më të mirë:

(arsyetimi i jurisë)

Për estetikën skenike e portretizimin e dhembjes familjare ndaj personave të pagjetur, lojën ekspresive të aktorëve me “mungesën” dhe prezencën, organikën e joorganikën, e për gërshetimin e komponentëve skenikë – përmes regjisures minimaliste që godet me ton të ftohtë karshi kujtesës e “harresës” së kohës.

Çmimi për SHFAQJEN më të mirë, iu nda INTEGRA-s, për shfaqjen “Babai dhe babai”, në regji të Kushtrim Koliqit.

Çmimi për TEKSTIN më të mirë:

(arsyetimi i jurisë)

Për kompozicionin dramaturgjik sa prekës aq edhe mbresëlënës që trajton fragmentimin e një drame intime familjare në rrafshe paralele gjuhësore e refleksione shumëplanëshe socio-politike.

Çmimi për TEKSTIN më të mirë iu nda dramës “Babai dhe babai”, të dramaturgut Jeton Neziraj.

Çmimi për REGJINË më të mirë:

(arsyetimi i jurisë)

Për formatin dhe intensitetin e jashtëzakonshëm skenik të koordinuar në mënyrë precize, që për synim ka tërheqjen e vëmendjes ndaj eksploatimit të fenomeneve ekzotike kulturore, parodizimin e klisheve dhe përballjen e dy kulturave në përmasa abuzive. Ky format regjisorial përmes ekzagjerimit të lojës së aktorëve shpalosë kundërthëniet e shumta, ku të vërtetat e pjesshme parakalojnë sikur në pista mode.

Çmimi për regjinë më të mirë, iu nda regjisorit Erson Zymberi për regjinë e shfaqjes “Burrnesha”, në bashkëpunim të Qendrës Multimedia dhe Teatrit Oda.

Çmimi për ROLIN më të mirë:

(arsyetimi i jurisë)

Për performancën e përqendruar e fluide të aktorit, saktësinë e besueshmërinë teatrore, forcën ndaj portretizimit të personazhit, mishërimit të tekstit, rezistencës ndaj botës që ka humbur çdo bilanc njerëzor, për shkathtësinë e ndërthurjes së humorit dhe dinjitetit human në skenë, pa u përkulur nga vorbullat e jetës.

Çmimi për rolin më të mirë iu nda aktorit Adem Karaga, në rolin e Ustait, në shfaqjen “Nyjat”, Teatri Shqiptar – Shkup.

Çmimi për INOVACIONIN më të mirë teatror:

(arsyetimi i jurisë)

Për shembullin e suksesshëm të kooproduksionit, që dokumenton në mënyrë të veçantë rëndësinë sociale të artit skenik, për interpretimin e komunikimin të materialit të dendur dramaturgjik nga kasta e tre teatrove publike, që në vete shpalosin frymën e re të përvojave kërkimore teatrore… Për begatinë e madhe skenike nga një ansambël i madh, ku vullneti krijues merr përmasa sensibilizuese në skenën teatrore të Kosovës.

Çmimi për Inovacionin më të mirë teatror u nda për tre teatrot: Teatri i Qytetit – Gjilan, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, për shfaqjen “Fausti”, me autor e regjisor, Fadil Hysaj.

Pas çdo shfaqjeje, u zhvilluan edhe diskutimet me panelistë nga fusha e dramaturgjisë, sociologjisë dhe përfaqësuesit e shfaqjes pjesëmarrëse në bufenë e Teatrit të qytetit. Pas çdo shfaqjeje janë shkruar të tekstet me të dhënat dhe detajet, pjesëmarrësit e çdo shfaqjeje dhe informacionet për shfaqjen e ardhshme në faqen zyrtare të Varg e Vi-së në mediet sociale, duke u përditësuar me informacione në kohë reale, të gjithë qytetarët pa dallim. Pas debateve, për çdo natë u zhvilluan edhe ahengjet tek taverna “Peps” me muzikë të gjallë dhe karaoke.

Sfida kryesore në çdo aktivitet të Talia e Flakës 2023, ka qenë vendimi për ta kthyer festivalin nga “për të gjithë me bileta me pagesë dhe nga mjetet e gjeneruara të ndihmohej një familje dëshmori” në “ftesa ose bileta falas për të gjithë”. Ky ndryshim esencial, ndodhi si rezultat direkt dhe me vendim të Komunës së Gjilanit, për dallim nga ideja fillestare në projekt, me bileta me pagesë. Kjo vështirësoi shumë punën me organizimin e audiencës, pasi biletat falas merreshin shpejt nga audienca dhe kishte më shumë kërkesa sesa oferta ftesash. Për çdo natë, salla e teatrit ka qenë e stërmbushur me audiencë nga interesimi i jashtëzakonshëm për festivalin.