Tregime dhe Mundësi

“TREGIME DHE MUNDËSI” 
Jo të gjitha tregimet vlejnë njësoj në kohë dhe hapësirë të dhënë. Dikush e rrëfen një tregim më mirë, më besueshëm, por edhe mbështetet në përvoja të pasura dhe fakte që frymëzojnë gjenerata të reja të kohës. Ka disa syresh prej nesh, që riprodhojnë tregime dhe improvizojnë. Kjo bën që të tjerët të mos kenë motivim të nevojshëm as për t’i dëgjuar këto tregime, e lëre më të jenë tregime dhe mundësi. Ka të tjerë që rrëfejnë, por nuk dëgjohen më shumë se brenda lagjes dhe provincës. Zëri i tyre kapet vetëm nga frekuencat lokale, e sot lokalja rropatet për t’u bërë globale, e nga partikularja në universale dhe anasjelltas.
Ka disa që rrëfejnë dhe në tregimet e tyre mund të gjinden mundësi të reja, inspirime dhe mund të ndahen si tregime të rëndësishme të suksesit individual e grupor. Disa aktorë dhe regjisorë që depërtojnë në skena të njohura botërore të “Hollywood”-it dhe të tjerë që nominohen për çmime prestigjioze si “Oscar”, kanë çfarë të rrëfejnë, nxisin vëmendje dhe kanë gjasa të ofrojnë më shumë mundësi për të gjetur shtigje të reja të bashkëpunimit të artistëve të vendit tonë me producentë të huaj dhe me shtëpi kinematografike të mirëpritura. Sidomos për vendet tona që kanë resurse njerëzore, por me mundësi të vogla për të qarkulluar në hapësira ndërveprimi global në fushën e artit. Të tjerët duke treguar për mundësitë, mund të na shumëzojnë tregimet tona dhe të na shtojnë mundësitë e reja.
E kemi rastin për tregime dhe mundësi, për të bashkëbiseduar me Mike Dusin dhe Robert Budinën, të cilët kanë çfarë të rrëfejnë për veten e tyre dhe kanë çfarë të na tregojnë edhe për mundësitë e pashfrytëzuara, e të cilat kemi vullnetin për t’i shfrytëzuar si komunitet i artistëve.
Pra, ejani më 2 dhjetor, e hënë, ora 19:00h, në Qendrën e Artit Bashkëkohor “Varg e Vi” në Gjilan (lagjja “Dardania 1”, përballë shkollës fillore “Selami Hallaçi”), të bashkëbisedojmë për “TREGIME DHE MUNDËSI”. Njëri panelist shqiptaro-amerikan, Mike Dusi (Mikel Dushi), i cili luan si aktor në komedinë “MikeyBoy” – që po shfaqet në kinematë e njohura ndërkombëtare dhe po ashtu do të jetë së shpejti në kinemanë e Prishtinës, ndërsa tjetri, Robert Budina, regjisor, i cili me filmin “Agoni”, është i nominuar për “Oscar” të vitit 2014.
Janë dy njerëz, dy tregime të ndryshme dhe dy rrugë të mundshme!Është Mike Dusi dhe Robert Budina!