Djalli i Tasmanisë

Varg e Vi përuroi në Turqi dramën e përkthyer “Djalli i Tasmanisë”

Pas përkthimit të dramës shqipe “Djalli i Tasmanisë” në gjuhën turke, me autor Avni Shkodrën – anëtar i Varg e Vi-së, u bënë disa aktivitete në promovimin e librit: diskutim me Klubin e Leximit, përurimi në Turqi dhe furnizimi me libra e bashkëbisedimi në shkollën e Mireshit në Gjilan, ku mësojnë edhe nxënësit e komunitetit turk.

Diskutim me Klubin e Leximit

Më 17 qershor 2023, Varg e Vi bashkë me Klubin e Leximit në Bibliotekën Ndërrajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, zhvilluan një diskutim me lexuesit, duke ndarë reciprokisht përshtypjet, mendimet dhe kritikat e tyre, pas leximit të dramës. Anëtarët e Klubit të Leximit, bashkë me studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe lexues të tjerë me pasion librin, shprehën qëndrimet e tyre për dramën e Shkodrës. Drama zgjoi interesim për diskutim, pasi prekte fenomenin e gjakmarrjes në kontekst edhe të një emigrimi në një shtet të largët të personazhit, në Australi. Lexuesit e dramës përveç që shprehën mendimet e tyre, parashtruan edhe shumë pyetje e komente në prezencë të autorit, rreth gjuhës së shkruar dramaturgjike, pamjaftueshmërisë së konfliktit dramaturgjik, versioneve të mundshme të përfundimit të librit, katarsisin, sfidat e standardit dhe dialekteve e sociolekteve të shqipes, inskenimin në teatër, kohëzgjatjen e kalimit nga një akt në aktin tjetër dramatik, metaforat e Tasmanisë, vendshtrirjen e kodit tematik, kryepersonazhin e Leutrimit, luftimin e gjakmarrjes si traditë paramoderne e parashtetërore, simbolikat e Djallit të Tasmanisë e shumë çështje të tjera të dramës. Në përgjithësi, vlerësimet ishin shumë pozitive për librin nga lexuesit dhe diskutuesit.

Përurimi i dramës së përkthyer në Turqi (Türkiye)

Varg e Vi pas përkthimit të dramës, e përuroi atë në Turqi, të njohur tashmë si “Türkiye”. Të shtunën, më 24 qershor 2023, në Stamboll, u përurua drama e anëtarit të Varg e Vi-së, autorit Avni Shkodra. Në përurim morën pjesë edhe: Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll, znj. Suzana Novobërdaliu, Ugur Hakan Guneri – aktori turk, Orhan Kurtuldu – aktori me origjinë shqiptare dhe Konsull Nderi i Kosovës në Arabinë Saudite, z. Lulzim Mjeku. Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, foli për projektin e përkthimit të dramës shqipe të Shkodrës në gjuhën turke, duke e falënderuar edhe mbështetësin financiar të këtij projekti, të ndërkombëtarizimit të dramës shqipe, ku theksoi rëndësinë e madhe që kanë projekte të tilla për bashkëpunimin ndërkulturor, globalizimin e vlerave universale dramaturgjike dhe fokusin e Varg e Vi-së si organizatë, edhe në kultivimin e dramës shqipe dhe ndërkombëtarizimin e saj nga brezi i ri i dramaturgëve.Ndërsa autori, Avni Shkodra, foli për përmbajtjen e “Djallit të Tasmanisë”, kontekstin e të shkruarit, motivin dhe nevojën për të shpërfytyruar zakonin paramodern e parashtetëror, atë të gjakmarrjes.Drama u cilësua me interes për inskenim edhe në Turqi, meqë fatkeqësisht ende në shoqërinë turke ka raste të shumta të gjakmarrjes si në kontekstin e hapësirës shqiptare. Tema e dramës dhe ngjarja iu duk interesante të pranishmëve, e cila ngjalli një diskutim, që zgjati rreth 3 orë. Përurimi u organizua në Beltaş Artists Cafe, Akat, Tepecik Yolu Sok. Parku i Artistëve Nr:11, 34337 Beshiktash, në Stamboll të Turqisë.

Varg e Vi furnizoi bibliotekën e Mireshit me dramën e përkthyer në turqisht

Më 26 qershor 2023, në Miresh (Dobërçan) të Gjilanit, në shkollën “Nazim Hikmet” – ku mësojnë nxënësit në paralelen turke e shqiptare – shembull i shkëlqyer i integrimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor, u shpërnda drama e anëtarit të Varg e Vi-së, “Djalli i Tasmanisë”. Disa libra iu dhuruan mësimdhënësve që japin mësim në gjuhën turke dhe atë shqipe, si dhe disa libra u lanë në raftet e bibliotekës shumë komode të shkollës së Mireshit për nxënësit turq, për ta pasuruar më tej bibliotekën me literaturë të re dhe për të nxitur leximin te grupmoshat e reja. Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, bashkë me Avni Shkodrën, shpjeguan projektin e përkthimit të dramës shqipe në gjuhën turke, përurimin në Turqi dhe theksuan nevojën e pasurimit me literaturë të bibliotekave të fshatrave dhe ofrimin e më shumë aktiviteteve kulturore për nxënësit. Varg e Vi falënderoi drejtorin e shkollës, zyrtarin e bibliotekës së Mireshit dhe mësimdhënësit e shkollës për mikpritjen e shkëlqyer dhe bashkëbisedimin.

Varg e Vi, në përmbyllje, me aktivitetin e fundit më 26 qershor, e vlerëson mjaft të suksesshëm këtë projekt, si dhe vlerëson se projekti ka qëndrueshmëri të gjatë, pasi që tashmë drama është në duart e lexuesve.

Projekti i përkthimit të dramës “Djalli i Tasmanisë” nga gjuha shqipe në atë turke dhe promovimi i dramës u përkrah nga:

READ-Regional Network for Cultural Diversity

Regional Network for Cultural Diversity (READ) is a regional project contributing to
the reconciliation and intercultural tolerance and literacy by opening new channels of communication between cultural CSO and providing networking possibilities. READ is a joint project implemented by Goethe-Institut (DE), Center for Balkan Cooperation – Loja (NMK), Instituti I Librit dhe i Promocionit (AL), Kalem Culture Association (TR), Krokodil (SRB), Qendra Multimedia (RKS). The Project is funded by the European Union.