Festivali i Stand Up Komedi-së 2

31 dhjetor 2023, Varg e Vi, Gjilan

Varg e Vi e hapi Festivalin Stand Up Komedi, më 26 dhjetor 2023, për të dytin vit me radhë, ndonëse shitja e biletave nga angazhimi i vullnetarëve kishte filluar ca ditë më herët, te shtëpiza e dekoruar nga Varg e Vi, para Teatrit të qytetit të Gjilanit. Festivali u organizua në katër shtylla kryesore: Stand up – Performanca, Stand Up – Ahengu, Stand Up – Në bërje dhe Qeshu – Konferenca.

Në aktivitetin kryesor, Stand Up – Performanca, për çdo mbrëmje kishte nga 4 stand up komedianë të ndryshëm dhe me Avni Shkodrën si stand up komedian i çdonatshëm, si nikoqir i festivalit. Stand up komedianët vinin nga mbarë hapësira shqiptare, si nga: Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës, Tirana e Shkodra. Në mesin e stand up komedianëve, dy prej tyre ishin gra. Stand up – Ahengu ishte ndejë e organizuar, me muzikë të drejtuar nga instrumentisti gjilanas, Fisnik Behluli, çaj e verë të nxehtë të shërbyer nga resorti më unik në Kosovë, Vali Ranch, në ambientin e hapur para Teatrit të qytetit. Stand Up – Në bërje, ishte thirrje e hapur publike për të rinjtë mbi 15 vjeç, ku do të mësonin me një kurrikulë të pasur nga një mentor profesionist, për zhvillimin e diturive dhe praktikës së bërjes së stand up komedisë. Në “Qeshu-Konferenca”, morën pjesë 10 panelistë e paneliste, të cilët prezantuan dhe diskutuan qeshjen në këndvështrime të ndryshme shkencore, përfshirë atë psikologjik, juridik, sociologjik, filozofik, teologjik, historik, stomatologjik, arkitektonik etj.

Hapja e festivalit

Hapja e Festivalit Stand Up Komedi 2 u bë nga Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, i cili informoi publikun për festivalin dhe aktivitetet që do të zhvilloheshin në kuadër të tij.

Në natën e parë, i pari në skenë me stand up komedi, u shfaq aktori nga Gjilani, Ernest Zymberi. E filloi me satirizimin e kulturës lokale të ushqimit dhe fiksimin në friz, frigorifer, për ta perceptuar edhe antifrizin e veturës, si friz. Pas kësaj, ironizoi me perceptimin mbi moshën kalendarike dhe vlerësimin subjektiv të saj, duke e përqeshur idenë se të jesh i ri do të thotë sa ndihesh i ri, e jo sa je i moshuar biologjikisht, e duke krijuar analogji humori me vlerësimin objektiv të kapitalit të dikujt dhe vlerësimin subjektiv të milionerëve. Në pjesën e fundit të stand up komedisë, Zymberi problematizoi me një humor të hollë, problemet në çiftet e sotme kosovare, e veçmas kufizimin e lirisë së bashkëshortit dhe shakatë që lindin në mes shokësh me statusin e të martuarit, duke u “tejlavdëruar” se kush ka liri më të madhe të kohës për argëtim jashtë shtëpisë, e duke i munguar liria personale çdonjërit prej tyre.

Hasim Sopi Memishi nga Tetova u ngjit në skenë, me një stand up komedi që përkonte me atmosferën para liberalizimit të vizave për kosovarët më 1 janar 2024 drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai tërhoqi disa analogji me liberalizimin e mëhershëm të vizave në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar shakanë që, “jo vizat, por pa u hequr biletat, nuk ka shpresë për turizëm në BE”, për të aluduar në standardin e ulët ekonomik të shqiptarëve andej-këndej kufijve ballkanikë. Memishi krijoi batuta me mbiemrin e tij, zhvlerësimin e profesionit të aktorit në hapësirën shqiptare, problemet e përditshme si papastërtia e lumit të Tetovës me aq shumë ndotje, përfshirë edhe hudhjen e karrigeve nga qytetarë të pandërgjegjshëm dhe mekanizmat e dobët institucionalë për mbrojtjen e mjedisit ujor. Gjithashtu, ai shpotiti me një gjetje të veçantë rreth qenve endacakë dhe “edukimin e tyre kulturor”, pasi rrinë afër bibliotekave, teatrit e shtëpisë së kulturës në Tetovë.

Valina Muçolli nga Prishtina mori zemrën e publikut në sallë, me rrëfimet dhe kujtimet e fëmijërisë, se si e kanë pritur Vitin e Ri dikur në Kosovë dhe analogjitë me pritjen e Vitit të Ri në vendet evropiane. Tërhoqi paralele edhe në mes të rritjes së dikurshme me dhunë të fëmijëve kosovarë, krahasuar me edukimin e duhur të fëmijëve evropianë. Si kryetemë e saj për krijimin e batutave ishte kultura e varfërisë së dikurshme, veçmas mungesën e mjaftueshme të të mirave materiale dhe ushqimit, në kohën kur ajo ishte fëmijë. Muçolli përkujtoi kohën e shtyrjes së veturave dhe komoditetin e dikurshëm meskin për shkak të varfërisë, përmes subjektit të një taksisti familjar. Muçolli satirizoi edhe me mbipeshën dhe kulturën e pangopshmërisë për ushqim e humbje vetëkontrolli.

Arian Çuliqi nga Shkodra krijoi një atmosferë mbresëlënëse me humorin dhe të folurit shkodran. Ai e nisi me jetëshkrimin ose biografinë e tij, që nga lindja. Çuliqi përkujtoi kohën e vështirë e varfërinë në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës në Shqipëri, duke e “mallkuar edhe fatin e keq që lindi në atë kohë në atdhe”. Çuliqi kaloi në fazën e adoleshentit, për varfërinë për veshmbathje e xhaketa, lidhjet dashurore duke huazuar rroba te shokët dhe batutat që lindën kur shokët në çastin e vallëzimit me dikë që e dashuronte dhe ia kërkonte kujdesin, se “xhaketa mund të shqyhej, mos vallëzo pa kontroll”, e deri në ekstremin tjetër, se “mund të vallëzosh si të duash, se nuk shqyhet”. Vazhdoi me periudhën e emigrimit për motive ekonomike në Francë, duke u përballur me konfliktet ndërkulturore, kujdesin dhe emocionet e larta të evropianëve për mirërritjen e kafshëve shtëpiake, punën e tij të re duke e imituar qenin e ngordhur të pronarëve francezë, për t’ia hequr mallin e mallëngjimin për qenin e ngordhur, paradoksin e funeralit për qenin e ngordhur për dikë që vinte nga Shqipëria e nuk kishin kushte të mira as për njerëz, e lëre më për qentë shtëpiakë. Pjesë e humorit të Çuliqit ishte zhvleftësimi i punës së aktorit në Shqipëri, mungesën e çmimeve, dekoratave dhe mirënjohjeve me meritokraci dhe “fatin e keq” të tij si aktor e njeri, gjatë gjithë rrugëtimit të tij jetësor.

Avni Shkodra nga Gjilani, si anëtar i Varg e Vi-së e nikoqir i festivalit, si stand up komedianët më të angazhuar në hapësirën shqiptare, në periudhën e ardhjes së mërgimtarëve kosovarë për festat e fundvitit, u mirëprit shumë nga publiku, duke krijuar shumë të qeshura për raportet e kosovarëve me mërgimtarët familjarë, ndihmën e tyre para, gjatë, pas luftës dhe pas pavarësisë e deri më sot, që vazhdojnë remitancat prej tyre. Një aspekt me rëndësi që ishte në këtë stand up komedi, ishte roli i mërgimtarëve në vendimmarrjen e familjarëve të martuar në Kosovë, përfshirë edhe divorcin, pasi mërgimtarët kanë paguar edhe dasmën e familjarit në një nga restorantet e Kosovës. “Si të bësh divorc, kur ta ka paguar dasmën mërgimtari yt familjar?” – u shpreh ai, në të folurën e tij të veçantë si stand up komedian.

Në të gjithë stand up komedianët, si zakonisht, nuk mungojnë me raste edhe stereotipat e paragjykimet kulturore, gjinore, seksuale, ndërgjeneracionale dhe autoracizmi, por nuk u tejkalua në asnjë moment, “vija e kuqe”, pasi që humori drejtohej kryesisht kah vetja personale e kolektive, kah brendagrupet, e jo ndaj kulturave të tjera, jashtagrupet shoqërore.

Pas përfundimit të pesë stand up komedive në natën e parë, publiku kaloi çaste të këndshme para Teatrit të qytetit, para shtëpizës së dekoruar si minibar nga Varg e Vi e Vali Ranch, duke u shërbyer me pije e duke dëgjuar muzikë të përzgjedhur instrumentale xhaz.

Nata e dytë

Në natën e dytë, vazhdoi Festivali i Stand Up Komedisë, me 5 stand up të tjerë komedianë.

Esat Shabani nga Prishtina, prezantoi me një kod tematik nga etnopsikologjia kosovare, ironizoi me rezultatet e këqija në vlerësimin ndërkombëtar në arsim, me akronimin PISA, me rritjen e çmimit për faturat e energjisë elektrike, vështirësitë tona për të pranuar suksesin e “tjetrit”, inatin që kemi me arritjet e të tjerëve, me një gjetje të veçantë shakash. Shabani në stand up-in e kaluar gjersa u mor me elaborimin e çdo situate të përdorimit të togfjalëshit “b*tha”, në edicionin 2 të Festivalit gjatë këtij viti 2023, u mor me togfjalëshin antropologjik kosovar “për inati të…”. Krijoi shumë batuta për komentet rreth faturave me çmime të larta në muajin e fundit, për energji elektrike, duke vënë në spikamë ballafaqimet e komentuesve të arsyeshëm dhe komentuesve militantë partiakë. Shabani njihet me këtë stil stand up komedie, që gërsheton rrëfime personale, aktualitete politike e shoqërore dhe kryesisht analiza sociolingustike të kontekstit kosovar. Duke lëvizur shpesh në skenë, ai flet dhe komunikon me publikun në mënyrën tejet serioze, e që për një çast, krejt serioziteti i tij shembet, nga ajo që e quajmë shaka, me “sqarim të papritur”, duke krijuar të qeshura me zë te publiku.

Drin Osmani nga Ferizaj, më shumë se veç stand up komedi, kishte shfaqje uno teatrore. Me një imitim të jashtëzakonshëm, me kontekstualizim situatash edhe nga Gjilani, e filloi me shakanë e thirrjes së motrës, me emrin Drita, e që satirizonte me ngatërrimin e këtij emri nga tifozët e klubit tjetër po ashtu famoz, Gjilanit, duke krijuar shumë të qeshura që ndërlidheshin me derbin më të njohur lokal Drita-Gjilani. Osmani kishte imitime dhe interpretime të jashtëzakonshme. Më shumë se vetëm përmbajtje shakash, ai mori audiencën për vete me të qeshura të njëpasnjëshme, nga një interpretim i mrekullueshëm prej aktori, që transformonte karaktere e personazhe të jetës së përditshme. Më pas, rrëfente për të kaluarën e tij djaloshare, kujtimet dhe ndodhitë e ndërveprimit rutinor social.

Ermela Ruri nga Tirana, erdhi me një temë të veçantë: vështirësitë e vetëkontrollit për ushqimin, dietat dhe mesazhin e fundit, “hani, se një jetë të vetme kemi”. Veçantia e saj ishte se dukej sikur po ligjëronte një temë personale, me interes publik, presionin mediatik se si është forma ideale trupore, fiksimin në dieta, perime, e gjer në imagjinatën erotike me “Sabriun perimeshitës”, për të plasur të qeshurat intensive të publikut në sallë. Ishte shumë serioze, por serioziteti i saj, shtjellimi i temës, interpretimi, situatat e ndryshme rreth insistimit për dietëmbajtjeje, shkaktuan të qeshura të shumta te publiku. Ruri më shumë se komedi, jepte leksione, e të cilat leksione për një moment, shndërroheshin në shaka të pafundme, kreative, artistike, filozofike e psikologjike.

Kushtrim Qerimi nga Gjilani, si zakonisht, tërheq audiencën në sallë në mënyrë të pabesueshme, me shakatë dhe mënyrën se si interpreton, komunikon e dialogon me publikun. Sikurse Ruri, kodi i tij tematik ishte mbipesha, obeziteti dhe shumë ironi e satira që ndërlidhen me vlerësimet e të tjerëve kur e shohin dikë që ka lëshuar bark. Qerimi fliste për përpjekjet e tij për ta mbajtur në formë fizikusin e tij, ngjitjen në male, por teposhtëze, po “rriste kilogramët” (ha-ha-ha). Dieta nuk funksiononte, qoftë edhe me sport. Qerimi ofroi shembuj të shumtë për të pasur një shëndet fizik të pranueshëm, duke e arritur kulmin e shakasë me formulimin ngushëllues që të të tjerat ta bëjnë kur kaloni në obezitet, “nuk je i trashë, por e ke ashtin e gjanë”. Me përvojë të gjatë si aktor në shumë shfaqje teatrore, Qerimi arriti ta bashkëdyzonte zhanrin e stand up komedisë me komedinë teatrore, duke arritur profesionalizëm të lartë.

Avni Shkodra nga Gjilani, u shfaq me performancën e njëjtë të stand up komedisë si në natën e parë, me synimin për një audiencë tjetër në sallë, por edhe për temën e mërgimtarëve, me shkas ardhjen e mërgimtarëve në pushimet e fundvitit në atdhe.

Pas stand up komedianëve në natën e dytë, pjesëmarrësit u argëtuan sërish para Teatrit të qytetit, me Stand Up-Aheng, me muzikë, Cats Quartet (SHQwing) dhe koktej nga Vali Ranch.

Nata e tretë dhe përmbyllëse

Në natën e tretë dhe përmbyllëse të Festivalit Stand Up Komedi 2, u paraqitën stand up komedianët e radhës.

Mentor Shuki nga Prishtina, i njohur për stand up komeditë e tij në bare të ndryshme të Prishtinës dhe si prezantues në emisione televizive mediatike, e nisi stand up-in me shakatë për ardhjen në Gjilan me autobusin e kompanisë “Amiri”, ku deklaroi: “Dy euro e gjysmë ishte për budallenj, dy euro për studentë dhe belesh për artistët”, me të cilin siguroi shumë të qeshura te publiku në sallën e kuqe të Teatrit të Gjilanit. Shuki, siç njihet nga të gjithë edhe me përdorimin e fjalëve pa asnjë cenzurim, erdhi në një mënyrë të pranueshme te publiku, duke satirizuar për sfidat e “coming out” të komunitetit LGBT, pjesëtarët e të cilit lëvizin nga qyteti në qytet për të realizuat motivet e tyre seksuale, nga homofobia e gjithëpërhapur në Kosovë, për hajgaret rreth drogave dhe batutat që lindin teksa një dhëndër që abuzon me droga martohet me një partner nga familje shumë tradicionale e konservatore në Tërnoc e stereotipat për këtë fshat; me batutat rreth shpërfytyrimit të vlerave shoqërore rreth respektit para dhe pas luftës; me batutat për rritjen e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve, sfidat për martesë në kohë inflacioni e hiperinflacioni (respekt për ata që u martuan në këtë vit të krizës financiare!), për ekspozimin e të pasurve në rituale fetare si haxhi, për feminicidin, dhunën në çifte bashkëshortës dhe deri në guximin për të bërë humor edhe me tragjedinë e fundit aktuale, që krijonte te publiku edhe shqetësim për të qeshur e dhembje tragjike për të qarë, në një kontekst të banalitetit, absurditetit dhe tragjedisë së planifikuar në mënyrë amatore e tejet kriminale. “Imagjinoni 6500 euro kushton udhëtimi për në haxh dhe sa shumë është rritur çmimi për groshë. Kush mban tespih dhe p*rdhet, mund ta llogarisni super të pasur”, ishte një nga ironitë më shakasjellëse rreth pabarazisë sociale dhe ekonomike, si dhe inflacionit në Kosovë.

Bashkim Alaj nga Ulqini, e nisi me humorin për stereotipin e ulqinakëve që nuk punojnë sa duhet (stereotipin: malazezët e ulqinakët dembelë!), duke e ndarë toponimin e Ulqinit në dy rroksha, në mënyrë frojdiane, për ta lidhur gjithsesi me “seksin ulur”, simbolikë e përtacisë ekstreme. Alaj bëri një ecejake biografike të fëmijërisë e gjer në moshën aktuale kalendarike, duke bërë publikun të qeshte me të madhe, teksa po tregonte absurditetin e “shllajfave” dhe krahasimin e lidhjeve dashurore me letra dashuriçkash në kohën e gjeneratës së tij dhe gjeneratës së sotme me “Snapchat”. Alaj përveç tregimeve të tij plot shaka, imitonte për mrekulli Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin si filozof, i cili do të dështonte në Ulqin si pritës turistësh në banesën e tij me qira e suksesin në Kosovë, si dhe imitonte edhe me ecje, Kryeministrin shqiptar nga Mali i Zi, si kozmopolit e multikulturalist në Ballkanin Perëndimor me një mori nacionalizmash të sforcuar, duke mos u përmbajtur publiku me të qeshura. Alaj ironizonte me syzet e tij që nuk ndërlidhen me stereotipin për intelektualizëm, por me nevojën nga dioptria e caktuar prej oftalmologut (mjekut të syve). Alaj ironizonte me rritjen e çmimeve mashtruese për pushuesit nga Kosova në Ulqin, duke kritikuar bashkëvendasit e tij tregtarë, që abuzonin me çmimet për turistët në pushimet verore.

Egzona Salihu nga Presheva, luante mirë me stereotipat gjinore e seksizmin e përhapur gjithandej dhe ankesën e vazhdueshme të shqiptarëve me dhe pa arsye. Ndonjëherë kalonte nga stand up komedia në shfaqje teatrore si monolog, por ajo u mirëprit në mënyrë të veçantë, me “epshin seksual të meshkujve, që të hanë me sy”, fiksimin në sisë, vithe dhe pamjen trupore të vajzave e grave, duke satirizuar ndrydhjen seksuale, normat e dyfishta morale për meshkujt e femrat, për erotizmin, erosin, seksin, afshin, epshin, aventurat etj. Salihu vinte me një guxim për të dalë përtej shabllonit patriarkalist, me guxim femëror për të tejkaluar rolet tradicionale gjinore dhe diskutimit të hapur për temat tabu rreth seksit, teprisë me shkrepe fotografish e postimesh në rrjetet sociale, paroditë rreth dasmës së saj me ish-qyqen. Përveç disa temave që godiste tradicionalizmin, patriarkalizmin, pabarazinë gjinore, seksizmin, ajo arriti të ishte e pranueshme nga publiku, me mënyrën e veçantë të interpretimit, veçmas ankesave të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës e Kosovës, deri në klithma erotike, duke goditur stilin e vazhdueshëm ankues e të pakënaqësisë sistematike qytetare me çdo gjë, për t’i dhënë kahje optimizmit, realizmit etj.

Dario Haruni nga Tirana, shfaqi një veçanti të paparë prej stand up komediani dhe aktori. Nëse do të matej vlerësimi i publikut nga një mostër e rastësishme, ai mori vlerësimin më të lartë për performancën e tij. U shfaq si stand up komedian, si aktor, si komedian, si intelektual i shquar, i mirëinformuar për etnopsikologjinë shqiptare, psikologjinë, psikoterapinë, shkencat politike, historinë dhe shumë tema e nëntema të tjera. Haruni u shfaq si një talent i rrallë e i ri, me humor tejet intelektual e akademik, me sfond të pasur të historisë, me interpretim të shkëlqyeshëm, me këndim mbresëlënës, transformim personazhesh dhe meriton një vlerësim të dalluar nga disponim i veçantë që krijoi te publiku. Ai ironizoi edhe disa ligjërime të prijësve fetarë, që ndalojnë fotografinë e portretin, ndërsa dersin e japin pikërisht në video me “frejma”, dhjetëra fotografi të sintetizuara në të, për ta krijuar absurditetin dhe paradoksin, për ta paralajmëruar publikun hapur, për lidhjen e veçantë emocionale që ka me religjionin islam, por që nuk pajtohej me gjuhën urrejtëse të disa fanatikëve fetarë, si komentues në rrjetet sociale.

Avni Shkodra nga Gjilani, në natën e tretë, dilte në skenë herë pas herë, me disa batuta për sjelljen e disa pjesëmarrësve në sallën teatrore, teksa përdorin celularin e tyre, duke penguar të tjerët në sallë, sjelljen amatore të kameramanëve të televizioneve lokale, të cilët nuk duhet në asnjë mënyrë të ngjiten në skenë, për të shqetësuar aktorët performues në skenë, teksa zhvillohet një shfaqje. Shkodra u mirëprit në mënyrë të veçantë nga stand up komedia e tij e lirë dhe ndryshe, në natën e tretë të festivalit.

Pas stand up komedisë, vazhdoi Stand Up – Ahengu, me Cats Quartet (Funky Jazz), me instrumentisin e përnatshëm, Fisnik Behlulin, me bandën e tij muzikore.

Skenografia për çdo stand up komedi, ishte e bërë me mjeshtëri, nga Din Azizi, ndërsa fotografitë janë shkrepur nga Valdrin Bajrami.

Qeshu-Konferenca

Në kuadër të Festivalit të Stand Up Komedisë 2 të organizuar nga Varg e Vi, me koncept të Avni Rudakut, më 28 dhjetor, ora 14:00, u organizua aktiviteti “Qeshu-Konferenca”, me temë “Qeshja si çështje”, në sallën e konferencave “Tokyo”, në Astoria Luxury & SPA në Gjilan. Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, e hapi konferencën, duke i përshëndetur 10 panelistët dhe panelistet, si dhe pjesëmarrësit nga audienca e pranishme. Panelistët prezantuan temën mbi qeshjen dhe këndvështrimin e tyre shkencor, varësisht nga profesioni dhe thirrjet e tyre akademike. Më pas, konferencën e moderoi nga fillimi në mbarim, Fjonë Xheladini, studente e masterit në fushën e gazetarisë e komunikimit masiv.

Prezantuesja e parë, Mimoza Kadriu, psikologe, mësimdhënëse parauniversitare dhe e trajnuar në disa lloje psikoterapish, prezantoi me temë: “Efektet e qeshjes në shëndetin mendor dhe patologjia e qeshjes”, duke iu referuar studimeve shkencore mbi efektin e qeshjes në çlirimin nga stresi, ankthi e depresioni, dobitë e qeshjes, ndikimin e kulturës, gjinisë, moshës dhe faktorëve të tjerë kulturorë se kur do të qeshte një person në një situatë të caktuar të ndërveprimit shoqëror. “Qeshja përmirëson dukshëm shëndetin mendor, rregullon emocionet tona dhe ua rekomandoj fuqishëm, të qeshni sa ma shumë, të rrethoheni me njerëz pozitiv, sepse qeshja ndihmon në çdo dimension të psikologjisë njerëzore, përfshirë edhe rregullimin e hormoneve dhe neurotransmetuesve që janë përgjegjës për lumturinë dhe disponimin pozitiv njerëzor” – përfundoi Kadriu.

“Qeshja në aspektin filozofik”, si temë, u elaborua nga Kastriot Kurti – mësimdhënës i filozofisë, i cili e kundroi konceptin e qeshjes nga Antikiteti, Mesjeta e gjer në kohën e sotme. Kurti u ndal në konceptet e filozofisë sokratike, te Komedia “Retë”-Dyqani i mendimit, Aristofani, te kundërshtimet e Platonit për të qeshurën, se ajo është keqdashëse/malicioze. Sipas Platonit, qeshja është një cilësi e keqe morale, veçanërisht një ves i keq. Kurti pastaj u përqendrua në Mesjetë, te krishterimi. “Refuzimi i të qeshurës dhe humorit, nga qëndrimi idealist i Platonit, do të ndikonte mendimtarët e hershëm kristianë” – u shpreh Kurti. Duke iu referuar Basilit, “e qeshura e furishme dhe dridhja e pakontrollueshme e trupit nuk janë tregues të një shpirti të dëlirë, të dinjitetit personal, e as të zotërimit të vetvetes”. Ndërsa, në Mesjetë, sipas Kurtit, qeshja lidhej edhe me përtacinë, papërgjegjshmërinë, epshin ose zemërimin. Sipas Niçes, “të dyja, tragjikja sikurse komikja, janë situata të cilat tregojnë një mohim të qenies. Përderisa tragjikja është një qëndrim negativ. Komikja, në anën tjetër, një qëndrim pozitiv – i një mohimi të njëjtë”, citoi Kurti, duke përfunduar prezantimin, me qëndrimin se koncepti i qeshjes ka ndryshuar vazhdimisht në kundrimin filozofik.

Panelisti i tretë sociolog, Prof. Dr. Ass. Gëzim Selaci, prezantoi me temë: “Qeshja në hapësirën publike, në kultura të ndryshme”. Sipas Selacit, sociologjia është marrë më pak me qeshjen, për të zënë vend pushteti, stratifikimi social dhe aspektet e tjera të shoqërisë. Sidoqoftë, vazhdoi Selaci, e qeshura varet shumë nga kultura lokale e grupeve të ndryshme shoqërore. I njëjti humor, diku mund të miratohet, diku mund të mos vlerësohet i përshtatshëm, diku tjetër të refuzohet kategorikisht, diku tjetër të qortohet, e diku tjetër madje të dënohet me norma strikte morale, shoqërore e ligje. “Lloji i humorit mund të tregojë edhe përkatësinë sociale në një grup të dhënë shoqëror” – u shpreh sociologu Selaci.

Dr. Asdren Toska, studiues i marketingut dhe artikullshkrues në revista të njohura ndërkombëtare e shkencore, me dhjetëra citime në këtë fushë, prezantoi me temë: “Qeshja në reklama”. Në fillim, Toska elaboroi aspektet e ndryshme të marketingut, për ta dalluar nga reklama si më specifike në kuadër të marketingut në përgjithësi. E nisi me reklamën e stërnjohur kur “gjarpëri ishte marketeri i parë, pasi bindi Adamin dhe Evën për ta ngrënë mollën” dhe me ilustrime vizuele të shumë kompanive të njohura globale, se si e përdorin komiken për të arritur deri te klientët e konsumatorët. Toska u ndal në fund te përfitimet nga aplikimi i buzëqeshjes e qeshjes në reklamë, duke numëruar disa nga dobitë e qeshjes në marketing si: krijon lidhje emocionale me audiencën, ndjenjë familjariteti me markën, bëhet shpejt virale, krijon marrëdhënie të shëndosha me klientët, kompania tregon personalitet unik me klientët etj.

Ylfete Fazliu, fotografe me përvojë disavjeçare, foli mbi temën: “Buzëqeshja në fotografi”. Sipas Fazliut, fotografia ka ndryshuar me kalimin e kohës. “Dikur njerëzit nuk buzëqeshnin fare në fotografi. Ishin mjaft seriozë e gojëmbyllur. Një faktor ishte kujdesi i dobët dental. I kishin dhëmbët e prishur. Nuk i kishin dhëmbët si sot, me aq shumë higjienë, kujdes personal, edukim dental, teknologji të ndryshme mjekësore” – u shpreh Fazliu. Më pas, fotografja tregoi për rregullat strikte për fotografi, që ndalojnë buzëqeshjen. “Secili prej jush ka përvojën e kërkesës për fotografi për aplikim për viza në ambasada të huaja. Nuk lejohet buzëqeshja në fotografi, sepse softveri lexon më shumë individualitetin tonë teksa nuk qeshim, si dhe serioziteti është pjesë e çdo protokolli administrativ të ambasadës” – vazhdoi Fazliu, duke paraqitur edhe fotografi të ndryshme, ku dikur buzëqeshja nuk ishte prezente në shumë fotografi e deri në fotografitë e sotme, ku buzëqeshja është gjëja më e zakonshme.

Pas prezantimit të pesë panelistëve të parë, ishte pauza për kafe për pushim e socializim me njëri-tjetrin, për të vazhduar më pas, me pesë panelistët e tjerë.

Refik Ramadani, asistent i angazhuar në Universitetin e Gjilanit për Shkencat Kompjuterike, vazhdoi në pjesën e dytë të konferencës, me temën: “Emojat dhe smile në platformat online”. Në nisje të prezantimit, Ramadani definoi emojin: “Një emoj është një piktogram, logogram, ideogram ose buzëqeshje, funksioni i të cilit është të shprehë aspektet emocionale që mungojnë në një tekst të dhënë”. “Emoji-t e kanë origjinën në vitet 1980. Emoji-t e para u bënë nga karaktere teksti për të përfaqësuar shprehjet e fytyrës (p.sh. dy pika dhe kllapa për një buzëqeshje të qeshur :). Në vitet 1990, stilisti japonez Shigetaka Kurita zhvilloi më tej konceptin e emoj-it. Ai krijoi emoj-in e parë të disponueshëm në pajisjet celulare. Duke u bazuar në këtë, tani ka shumë emoja që mund të përdoren për situata të ndryshme dhe kanë gjetur vendin e tyre në komunikimin digjital” – vazhdoi Ramadani. Për çdo emoj të emocioneve pozitive, Ramadani prezantoi vizuelisht disa lloje emojash si: një fytyrë të buzëqeshur, fytyrën e qeshur me sy të mëdhenj, fytyra e qeshur me sy të qeshur, fytyra duke shpërndarë një puthje, fytyra e buzëqeshur me tri zemra etj.

Besian Sylejmani, me profesion arkitekt dhe përvojë në shumë projekte, prezantoi me temë: “Objektet më qesharake në arkitekturën kosovare”. Në sllajdin e parë të prezantimit, Sylejmani, citoi me ironi Philip Johnson, që thotë: “Arkitektura është arti që na shërben, për ta çuar dëm hapësirën.” Duke vazhduar më tej, ai paraqiti fotografitë e para të Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, në shkrepje afër dhe larg (sfond), që në një medium ndërkombëtar, ishte shpallur edhe si “objekti më i shëmtuar”, duke shtjelluar aspektet e mundshme komike, por edhe estetike të bibliotekës. Më pas, vazhdoi me fotografitë e asfaltit qesharak si infrastrukturë në Malishevë të Kosovës, krahasimin e shtëpisë qesharake të vëllait në Kosovë dhe vëllait në Gjermani, tarracat në disa banesa, bankomatin në Gjilan, Vushtrri e Gjakovë; radiatorët me stereotipin lokal mbi koprracinë edhe në sistemin e ngrohjes; kabllot qesharake të shtyllave elektrike, e kështu me radhë. Arkitekti Sylejmani bëri një prezantim dominues vizuel, duke shpjeguar disa aspekte arkitektonike që mund të cilësohen si qesharake.

Dr. Selim Daku, profesor i angazhuar në Universitetin e Gjilanit, Fakultetin Juridik, dhe gjithashtu bashkautor në revista shkencore ndërkombëtare, prezantoi me temë: “Qeshja me zë dhe prishja e qetësisë publike (aspekti ligjor rreth Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike – Rasti i dënimit me gjobë nga policia të vajzës për prishje të qetësisë publike pas qeshjes me zë të lartë gjatë natës)”, kontekstualizoi “të qeshurën kur shndërrohet në zhurmë”, në aspektin ligjor, veçanërisht referuar Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike në Kosovë, me rast të veçantë shpjegimi, duke u bazuar në debatin e gjerë publik që u zhvillua para disa kohësh, rreth gjobës nga policia, të një vajze që po qeshte me zë të lartë pas orëve të vona, që kufizohen edhe si prishje e qetësisë dhe bezdisje publike, si zhurmë. Profesori Daku përkufizoi konceptet e zhurmës në aspektin teknik e fizik, me theks të posaçëm në aspektin definues ligjor, duke treguar rastin nga perspektiva të ndryshme, problemet konceptuale të nocionit “zhurmë”, reagimet e ndryshme të publikut përkitazi me këtë rast, duke paraqitur komente publike të disa figurave publike dhe me video-ngjarjen e rastit të lartpërmendur. Profesori Daku adresoi kompleksitetin e nocioneve të tilla në rregullimin ligjor, nevojën për ndryshim-plotësim të ligjit dhe vështirësitë e organeve të rendit, kur interpretojnë zhurmën sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, mbështetur edhe në njohjen komplekse të ligjit aktual dhe mundësitë e mëdha që edhe e qeshura dhe çdo sjellje tjetër njerëzore, të mund të shndërrohen në zhurmë, nëse me këtë kuptohet diçka që mund të bezdiset dikush në hapësirën publike, e sidomos natën, kur zëri dëgjohet edhe më shumë në distanca të largëta. Si përfundim, profesori Daku shprehu dilemën e paqartësisë konceptuale ligjore, fazën e interpretimit nga organet e rendit e sigurisë dhe zbatimin delikat të ligjit në fuqi, për shkak se në një anë, policia ka pasur të drejtë ta gjobisë edhe për qeshje me zë të lartë në aspektin ligjor, por në anën tjetër, si mund ta matësh pa instrumente decibelësh, që shpreh paqartësi dhe vlerësime subjektive nga autoritetet ligjzbatuese, në rastin në fjalë.

Dr. Blerim Haziri, historian, prezantoi me temën: “Qeshja sipas religjioneve të ndryshme botërore”. “Të jesh serioz nuk do të thotë të privohesh nga qeshja dhe humori. Është vërtet një keqkuptim i madh barasvlerësimi i seriozitetit me ngrysjen e fytyrës, lënien mënjanë të buzëqeshjes dhe sensit të humorit” – ishte ajo me të cilin e filloi prezantimin, historiani Haziri. Më pas, citoi tekstet biblike nga krishterimi, ku mbështetet dhe miratohet buzëqeshja: “Përveç fëmijëve, asnjë tjetër nuk ishte i buzëqeshur. Perëndia është Ai që i jep buzëqeshje jetës sonë. Hiqini fytyrat e mërzitura, buzëqeshni dhe lutuni te Perëndia. Mendoni që buzëqeshja nuk vlen? Buzëqeshja forcon shpirtin dhe trupin tonë. Buzëqeshni sa më shumë sepse do ju jepni njerëzve që ju rrethojnë mesazhin e jetës së bukur dhe të lumtur. Sa të lumtur janë fëmijët kur nëna e tyre buzëqesh. Buzëqeshja nuk i kushton asgjë atij që e jep shumë. Pasuron ata që e pranojnë, pa varfëruar ata që e japin”. Pas këtij citimi, ai e shoqëroi këtë edhe me një portret të murgeshës katolike dhe shenjtores shqiptare nga Vatikani, Nënës Terezë, e cila paraqitet në fotografi duke buzëqeshur, e që po të ndalohej, nuk do të buzëqeshte!

Historiani Haziri, diskutoi edhe për humorin sipas religjionit para krishterimit, hebraizmit. “Humorin hebraik mund ta gjeni në shkrimet e shenjta hebraike, duke përdorur anekdotat dhe historitë për të shprehur mësime morale ose për të analizuar jetën e përditshme. Po ashtu, komedianët hebraikë përdorin humorin për të trajtuar sfidat shoqërore dhe politike të kohës së tyre. Gjithashtu, një element i zakonshëm i humorit hebraik është ironia dhe vështrimi kritik ndaj vetes dhe ngjarjeve rreth tyre” – vijoi Haziri. Sipas historianit Haziri, edhe në religjionin islam, preferohet buzëqeshja, ku sipas traditës islame, transmetohet se një nga shokët e Pegamberit të myslimanëve ka thënë: “Nuk kam parë askënd, që t’u buzëqeshte njerëzve aq shumë, sa i i Dërguari i Allahut’, ndërsa një tjetër ‘Nuk më pa ndonjëherë, pa më buzëqeshur’. Pejgamberi u thoshte shokëve të tij: ‘Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka për ty.’ Të gjithë njerëzit kanë nevojë për këtë dhuratë të rrallë. Ata gjatë ditës punojnë, lodhen fizikisht e shpirtërisht dhe përballen me vështirësi të ndryshme.  Po nëse nuk ke dëshirë të buzëqeshësh, çfarë të bësh? Detyroje veten ta bësh këtë.” Për të përforcuar argumentin, historiani Haziri, vazhdoi referencat nga islami: “Duhet dalluar qartë të qeshurën nga përqeshja dhe ironizimi: (Dijetarët) janë pajtuar njëzëri se e qeshura e prish namazin, ndërsa shumica e dijetarëve kanë thënë se buzëqeshja nuk e prish.’ E qeshura e matur është ilaç për të gjitha brengat dhe pikëllimin”.

Panelistja e fundit, Ferdeze Shabani-Salihu, specialiste e stomatologjisë, prezantoi me një temë shumë të rëndësishme mjekësore dhe estetike, si “Dhëmbët dhe qeshja”, duke ofruar disa nga aspektet teorike dentale dhe ndarjen e praktikës së saj të gjatë klinike. Shabani-Salihu në pjesën hyrëse, shpjegoi konceptin dhe funksionet e dhëmbëve: “Dhëmbët janë struktura të vogla të bardha në gojën e njeriut. Funksioni kryesor i tyre është prerja, copëtimi dhe bluarja e ushqimit. Gjithashtu luajnë rol edhe në të folurit e drejtë. Duhet theksuar se dhëmbët e pastër dhe të shëndoshë shtojnë pamjen estetike.” Stomatologja Shabani-Salihu, shpjegoi edhe dy kategoritë kryesore të dhëmbëve: “Njeriu gjatë jetës së tij ka dy gjenerata të dhëmbëve: gjeneratën e dhëmbëve të qumështit (denticioni parësor) dhe gjeneratën e dhëmbëve të përhershëm (denticioni permanent). Kur përmendim një qeshje të bukur, dhëmbët e bukur janë gjëja e parë që na bie në mendje. Dhëmbët e rreshtuar mirë dhe me ngjyrë e strukturë të duhur na mundësojnë të kemi qeshjen ideale. Prandaj, dhëmbët luajnë rol të rëndësishëm në pamjen tonë.” Për stomatologen Shabani-Salihu, “një qeshje e ngrohtë dhe tërheqëse mund të përmirësojë vetëvlerësimin e një personi për të krijuar ndërveprime pozitive sociale”.

“Njerëzve, të cilëve u mungojnë dhëmbët ose kanë boshllëqe në dhëmbët e tyre, hezitojnë të qeshin, të ndërveprojnë hapur dhe përfundimisht humbasin besimin në veten e tyre, ndonëse përpjekja e doktorëve gjithmonë ka qenë që krahas funksionalitetit, sa më afër të arrihet edhe natyraliteti, dhe sot, stomatologjia estetike konsiderohet disiplinë e re në mjekësi, e cila si qëllim kryesor ka sigurimin estetik, që nënkupton arritjen e një buzëqeshjeje ideale” – përfundoi specialistja e stomatologjisë.

Pas përfundimit të prezantimeve nga 10 panelistët dhe panelistet, u hap diskutimi, me pyetje, përgjigje e komente të ndryshme. Konferenca “Qeshja si çështje” është organizuar për herë të parë në kuadër të Festivalit të Stand Up Komedisë, edicioni i dytë. Në fund të aktivitetit, u organizua edhe koktej me pjesëmarrësit e konferencës në Astoria.

Festivali Stand Up Komedi 2 është mbështetur financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës dhe do të jetë tradicional dhe i përvitshëm, i pari i këtij lloji në Kosovë, ku mbledh dhjetëra stand up komedianë nga mbarë hapësira shqiptare, dhe nga viti në vit, pasurohet me aktivitete të veçanta e punëtori rreth qeshjes, si dhe me shumë risi të tjera në të ardhmen. Festivali është realizuar për Stand Up – Ahengun në bashkëpunim edhe me resortin Vali Ranch, në partneritet edhe me Zërin Rinor në Gjilan për punën e vullnetarëve të festivalit dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Teatrin e qytetit të Gjilanit për shfrytëzimin e hapësirës teatrore për stand up komedianët dhe audiencën e gjerë.