Kalaja e Kulinës

Varg e Vi shfaqi audiodokumentarin më të ri për Kalanë e Kamenicës

25 korrik 2023, Varg e Vi

Varg e Vi tashmë ka realizuar disa audiodokumentarë për trashëgiminë kulturore dhe historike. Më 24 korrik 2023, Varg e Vi shfaqi audiodokumentarin më të ri “Kulina”, me autor Avni Rudakun e narrator Avni Shkodrën, në studion e RadioStar-it nga Gjilani, për historikun, gjetjet më të fundit arkeologjike dhe me intervistat me respodentë të ndryshëm mbi Kalanë e Kamenicës.

Migjen Fazliu – Drejtor i Varg e Vi-së, duke e hapur aktivitetin me ecjen e pjesëmarrësve me kufje wireless dhe gjatë ngjitjes në kala për ta dëgjuar audiodokumentarin “Kulina”, falënderoi Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, që mbështeti këtë projekt, dhe më pas, deklaroi: “Le të jetë ky një moment për të mos e lënë në harresë Kulinën dhe për të investuar më shumë që ta bëjmë Kalanë e Kamenicës një vend atraksioni turistik.”

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Kamenicë, Rinë Matoshi-Huruglica, iu gëzua projektit të realizuar të Varg e Vi-së, duke treguar edhe për sfidat e mirëmbajtjes së Kulinës, punët e ngadalshme të Institutit të Arkeologjisë dhe nevojën për investime të reja në Kulinë.

I pranishëm ishte edhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport nga Komuna e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, i cili shprehu vlerësimin e lartë për projektin që ishte shkas edhe për dalje në natyrë nga punët e përditshme administrative në zyre dhe tregoi disa nga idetë që janë në shqyrtim edhe për Kalanë e Pogragjës në Gjilan.

Gjatë dëgjimit të audiodokumentarit, audienca kishte rastin gjatë ngjitjes në kala për t’i parë disa nga instalacionet artistike të Kulinës nga Din Azizi, ku njëra kishte fotografinë e famshme të pllakës së gjetur afër kodrës së Kulinës me funeralin e famshëm, instalacionet si: “560m”, “Vitet e ’70-ta të shek. XX”, “1198/2015” dhe “Antikiteti i vonë”, të ndërlidhura të gjitha me Kalanë e Kamenicës.

Në hyrje të Kulinës pasi u ngjitën pjesëmarrësit deri në kala, u shtrua një koktell rasti me ushqime të ndryshme dhe u bë një diskutim i lirë për audiodokumentarin, duke kontribuar në mënyrë të posaçme profesori i artit dhe i pasionuari për Kulinën, Shaban Berisha, por edhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Projekti “Kulina” është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Kamenicës, pas rezultimit me sukses të Varg e Vi-së në thirrjen e hapur publike për projekte kulturore për të gjitha OJQ-të.

Kulina

(versioni i gjatë i tekstit të audiodokumentarit)

Audiodokumentari “Kulina”

Projekti nga: Varg e Vi
Data: 24 korrik 2023
Emërtimi: Kulina
Përgjegjës i projektit: Migjen Fazliu
Autor i audiodokumentarit: Avni RudakuNarrator: Avni Shkodra
Realizues i instalacioneve artistike përreth Kulinës: Din Azizi
Audioinxhinier: RadioStarVendi: Gjilan
Sponzore: Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Kamenicës/Kosovë

Kamenica është qytezë me dhjetëra fshatra, komunë në mesin e 38 komunave të Kosovës dhe është vendi i origjinës së prindërve të mi. Babai im u shpërngul nga fshati i Poliçkës, ndërsa nëna ime nga Kranidelli, në Gjilan, gjatë fillimit të viteve të 70-ta të shekullit XX. Pikërisht në këto vite kur prindërit e mi po tëkërliteshin nga Kamenica në Gjilan dhe unë isha ende pa ardhur në këtë jetë, u zbulua Kalaja e Kamenicës, për t’u bërë pas disa vjetësh gërmime arkeologjike në disa faza të njëpasnjëshme. Kamenica është e njohur për disa kala dhe lokalitet i pasur me minerale të ndryshme. Kalatë funksionojnë shumë mirë me kodrat, lumenjtë dhe xeheroret në shumë vende. Kamenica, gjeografikisht, është në lindje të Kosovës, duke qenë ngjitas me komunat fqinje si: Novobërdën, Prishtinën, Ranillugin dhe Gjilanin, ku në kryeqytetin e Kosovës mund të shkohet nga Kamenica në Gjilan e më pas në Prishtinë, ose nga Novobërda e Llabjani në Prishtinë. Kamenica në aspektin e afërsisë me shtetet e tjera fqinje, kufizohet me Serbinë, duke qenë afër me Bujanocin dhe Medvegjën, por edhe me vendet e njohura prej nga u shpërngulën shumë shqiptarë gjatë fundit të shek. XIX, si Leskovci, Vranja, Nishi.

Sipas Hartës Arkeologjike të Kosovës, Kalaja e Kulinës ndodhet rreth 2 km në veri-perëndim të qytetit të Kamenicës, në një kodër të njohur si “Kulinë”. Kalaja ndodhet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Kriva Reka e cila është një degë e lumit të Moravës së Binçës, sikur Kalaja e Pogragjës dhe shumica e kalave që kanë afër burimet e ujit. Territori rreth kështjellës është i pasur me minerale të magnezit dhe hekurit dhe është i përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe bagëtisë. Kalaja është 560 metra mbi nivelin e detit. Pozicioni gjeografik ku është ndërtuar kështjella ka mundësuar një mbrojtje shumë të mirë natyrore në anët veriore dhe lindore ndërsa ana jugore ka një pjerrësi më të ulët. Në perëndim kalaja lidhet me gamën e kodrave përmes një qafe të butë e cila gjithashtu zbret drejt fushës së jugut. Të dhënat e para mbi ekzistencën e këtij vendbanimi vijnë nga eksplorimi i ekspeditës gjatë vitit 1970 i kumtuar nga Muzeu i Kosovës.

Sipas burimit të njëjtë të informacionit, viti 1992 u bë sërish i rëndësishëm për Kalanë e Kamenicës, pasi që u gjet gjatë punimit të një are, në vendin e emërtuar “Ura e Kollarëve”, rrëzë kalasë, një monument i veçantë, një pllakë guri shkëmbor me ngjyrë të bardhë të thyer në dy pjesë, ku në anën e majtë është gdhendur një mbishkrim në gjashtë rreshta, në gjuhën latine. Ndërsa në anën e djathtë një reliev ku paraqitet një burrë duke pirë verë përball një varri të hapur dhe një palë sandale brenda në varr. Mbi varr qëndron një vazo e madhe e dekoruar me mbushje me vija. Në të njëjtin vend është gjetur dhe pjesa e sipërme e të njëjtit monument, ku është paraqitur një rit funerali, ku në të dallohet një figurë mashkullore i shtrirë horizontalisht në sarkofag, datim nga fundi i shek. III-të ose fillimi i shek. IV-të. Gjatë vitit 2010 nga një kërkim i zhvilluar u vërejt material arkeologjik, kryesisht qeramikë si dhe trakte të mureve që vende-vende dalin në sipërfaqe.

Sipas Institutit Arkeologjik të Kosovës, me kontribut të posaçëm autorial të Enver Rexhës, deri më tani në kalanë e Kulinës janë zhvilluar dy fushata gërmimesh arkeologjike nga Muzeu i Kosovës. Fushata e parë është zhvilluar në vjeshtën e vitit 2012. Gjatë kësaj fushate u vendos që të hapeshin 5 kuadrate në pika të ndryshme të kalasë me qëllim kapjen e sa më shumë trakteve të mureve rrethuese. E gjithë kalaja u nda në tre sektorë (A, B, C) duke u mbështetur në izoipset e kodrës. Sektori A ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës, këtu u hap kuadrati me nr. 5. Në sektorin B u hapën kuadratet 1,2,3. Ndërsa në sektorin C që  mund të quhet edhe si rrethimi i jashtëm i kalasë ndodhet kuadrati nr. 4. Gjithsej gjatë këtij sezoni u gërmua një sipërfaqe prej 95 m². Përveç kësaj pune u bë dhe pastrimi i kalasë nga vegjetacioni si dhe pastrimi e ndjekja e pjesëve të murit rrethues që dukesh në sipërfaqe për të identifikuar më mirë planimetrin e rrethimit.

Në vitin 2013 iu kushtua rëndësi sistemit të fortifikimit të kalasë, ku u identifikua hyrja kryesore për në kala që ndodhet në drejtim të perëndimit, e cila në një fazë është ngushtuar dhe përdorur si depo drithërash, hyrja për në citadel, një kullë mbrojtëse e citadelës, disa rrënoja banesash në pjesën e sheshtë të sektorit B… Kalaja ka tre mure mbrojtës, ku ana veriore e kalasë e cila ka një mbrojtje natyrore shumë të mirë është e rrethuar me një mur, ndërsa pjesa tjetër mbrohet nga tre rreshta të mureve. Muret e fortifikimit janë ruajtur relativisht mirë me një lartësi që varion nga 0.50-2m. Kalaja bënte pjesë në qytete të vogla vendbanimesh, por që mundësonte banimin e një numër të konsiderueshëm të njerëzve.

Kalaja e Kamenicës, sipas Institutit Arkeologjik të Kosovës, është gjetur me kullën e vetme të identifikuar deri më tani, që është e vendosur në cepin Jug-Lindor të qytetit. Kulla ka një formë gati drejtkëndore me një oborr 2.7 m x 1.8m. Vazhdimi i murit rrethues drejt veriut nuk bëhet në kënd të drejtë por në mënyrë të harkuar. Trashësia e murit të anës së përparme është 1.9 m ndërsa muret anësore janë trashësi 1.7 m. Duke marrë parasysh formën e parregullt të kullës, si dhe materialin e dobët të ndërtimit që është përdorur, mund të themi se ndërtimi është bërë me nxitim, kjo korrespondon me periudhën historike kur ishte ndërtuar.

Në kala, vazhdon ky institut, për të theksuar se është gjetur edhe material i lëvizshëm, si vegla prej guri, fragmente qeramike, metale, objekteve prej qelqi, etj., të cilat kanë mundësuar identifikimin e disa periudhave të ndryshme të jetës në vendbanim. Materiali më i hershëm arkeologjik i përbërë nga përqindja më e lartë e gjetjeve arkeologjike i përket periudhës antike të vonë, e cila përfshin copa qeramike të cilat i përkasin mallrave të depozitimit siç janë: kavanozat, pllaka argjile, dhe më pak të përfaqësuara janë mallrat e transportit. Kavanozat kanë pasur një përdorim të gjerë gjatë antikitetit të vonë në Dardani. Në disa raste, këto enë u gjetën në formën e tyre të plotë. Ato kanë një formë sferike me një hapje masive të lidhur organikisht me trupin, me një skedë sferike ose të  sheshtë të poshtme.

Shpesh dëgjojmë emrin kala, por e shkëpusim nga rrethanat e asaj kohe kur janë ndërtuar, pse janë bërë, për çfarë shërbyen ato, kujt i shërbyen më së shumti dhe cilat ishin funksionet e kalave. Po i numërojmë dhjetëra arsye përse u ndërtuan kalatë, përfshirë edhe atë të Kamenicës:

  • Mbrojtje kundër sulmeve të armikut.
  • Mbrojtja e burimeve të vlefshme, si ushqimi, veçanërisht drithërat, si dhe uji.
  • Për kontroll dhe pushtet territorial.
  • Pozicionimi strategjik për avantazh ushtarak.
  • Vende të sigurta për të banuar fisnikët dhe anëtarët e familjes mbretërore.
  • Simbol i autoritetit dhe pasurisë së sundimtarit.
  • Parandalimi kundër pushtuesve të mundshëm.
  • Fortifikimi në kohë konflikti ose lufte.
  • Kontroll mbi rrugët tregtare dhe tregtinë.
  • Për të shtypur rebelimet dhe kryengritjet lokale.
  • Ruajtja e udhëkryqeve të rëndësishme ose pikave strategjike.
  • Strehimi i komuniteteve lokale gjatë rrethimeve.
  • Kullat e vrojtimit dhe komunikimit.
  • Ruajtja e relikteve dhe thesareve fetare.
  • Qendra stërvitore për kalorës dhe ushtarë.
  • Krijimi i një qendre qeverisjeje.
  • Mbështetja e zbatimit të ligjit dhe ruajtja e rendit.
  • Mbrojtja nga bastisjet dhe sulmet e banditëve.
  • Sigurimi i strehimit të sigurt për udhëtarët dhe tregtarët.
  • Si pika doganore dhe pika grumbullimi.
  • Ruajtja e kontrollit mbi tokën bujqësore dhe burimet e afërta.
  • Mbështetja e komunikimit në distanca të gjata përmes sistemeve të fenerëve.
  • Sigurimi i qasjes në burimet natyrore aty pranë, si minierat.
  • Nxitja e zhvillimit tregtar dhe ekonomik.
  • Përforcimi i aleancave me territoret fqinje.
  • Rritja e prestigjit të familjeve të njohura në pushtet.
  • Lehtësimi i zhvillimit urban të antikitetit të vonë dhe atij mesjetar.
  • Kundër kërcënimit të piratëve dhe bastisjeve bregdetare.
  • Mbrojtja kundër pushtimeve fisnore dhe nomade.
  • Garnizonet e strehimit për të shtypur mosmarrëveshjet lokale.
  • Forcimi i kontrollit mbi kalimet dhe urat e lumenjve.
  • Pengimi i avancimit të ushtrive kundërshtare.
  • Sigurimi i vendndodhjeve të sigurta.
  • Krijimi i qendrave rajonale të administratës.
  • Ruajtja e tokave bujqësore dhe blegtorisë.
  • Parandalimi i cenimeve territoriale.
  • Sigurimi i mbijetesës së dinastisë sunduese.
  • Sinjalizim i dominimit dhe unitetit politik.
  • Inkurajimi i zgjerimit të vendbanimeve të reja dhe rritjes së popullsisë.
  • Monitorimi dhe kontrolli i rezervave të gjuetisë.
  • Përballimi i rrethimeve dhe betejave të gjata.
  • Nxitja e panaireve dhe tregjeve mesjetare.
  • Rezistencë ndaj kërcënimeve të pushtimeve të huaja.
  • Ruajtja nga përhapja e sëmundjeve gjatë pandemisë.
  • Promovimi i përparimeve arkitekturore dhe inxhinierike.
  • Parandalimi i sfidave të brendshme dhe të jashtme ndaj pushtetit.
  • Ndihmonin në mbledhjen e taksave dhe tatimeve.
  • Mbështetja e diplomacisë dhe negociatave mesjetare.
  • Inkurajimi i besnikërisë feudale dhe marrëdhënieve vasale.

Në Kamenicë, kalaja u ndërtua për shumicën nga këto arsye që i përmendëm, që janë karakteristikë për të gjitha kalatë në histori, tashmë të shndërruara në trashëgimi kulturore dhe historike, në monumente kulture, në lokalitete arkeologjike. Kalaja e Kamenicës u ndërtua si shumica e kalave, në kodër, prej nga mund të shiheshin lëvizjet e armiqve të mundshëm e realë, ku kullat e vrojtimit të tillë të kalave të asaj kohe, mund të gjenden edhe sot e kësaj dite në ngjashmëri me bazat e shumicës së ushtrive në Kosovë dhe në botë, qoftë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, apo ushtrisë më të fuqishme në botë, SHBA-së, në kampin ushtarak amerikan në Sojevë të Ferizajt, ku rreth e përqark bazës, janë disa kulla vrojtimi në një lartësi dukshëm më të madhe, për ruajtje të sigurisë, për të parë kush hyn e del në territorin e caktuar përreth bazës ushtarake, e për të paralajmëruar me shpejtësi bazën në rast të kërcënimit nga ndokush, apo reagime me dyshime të bazuara.

Pra, Kulina u ndërtua në kodër, sepse ofronte mbrojtje më të mirë natyrore, më e lehtë për t’u mbrojtur kundër sulmuesve për shkak të pozicionit të ngritur. Avantazhi Strategjik i Kulinës: përmirësimi i pozicionit taktik për operacionet ushtarake. Dukshmëria nga kodra e Kulinës, ishte veçanti tjetër e rëndësishme. Dukshmëria e përmirësuar e armiqve që afrohen dhe kërcënimeve të mundshme. Terreni i pjerrët lodhës dhe i vështirë për ngjitje në Kulinë, ishte kodër e vështirë për sulmuesit të ngjiteshin në shpatet e pjerrëta të saj gjatë një sulmi. Komunikimi: Majat e kodrave si ajo e Kulinës, lehtësuan komunikimin më të mirë në distanca të gjata. Kullimi natyror nga kodra e Kulinës, zvogëlon rrezikun e përmbytjeve gjatë shirave të dendur ose përmbytjeve, e sidomos kur dihet se si në shumicën e kalave, i kemi pasur afër lumenjtë, të cilët rebelohen me rritjen e nivelit të reshjeve atmosferike, duke dalë nga shtretërit e tyre. E Kriva Reka dinte edhe të rebelohej duke dalë nga shtrati! Kulina duke qenë në kodër, kishte qasje të kontrolluar: më e lehtë për të kontrolluar dhe kufizuar hyrjen në kala. Kulina u ndërtua në kodër, edhe për shkak të disponueshmërisë së burimeve, si qasja në materiale ndërtimi si druri dhe guri. Ndërtimi në kodër, do të thoshte edhe simbol i fuqisë: kalatë në majë të kodrave demonstruan autoritet dhe dominim. Për shkak të Kulinës në kodër, më e lehtë ishte mbikëqyrja e rrugëve tregtare, përkatësisht, monitorimi dhe taksimi i tregtarëve dhe udhëtarëve që kalojnë.

Kulina në kodër, ishte e mbrojtur edhe nga sëmundjet, sikur COVID-19 që shpërtheu nga virusi Sars-Cov-2, që kërkonte sa ma shumë izolim, kalatë mbroheshin edhe nga përhapja e epidemive, viruseve, sëmundjeve ngjitëse të kohës. Kulina në kodër, ishte e izoluar edhe nga shpërthimet e mundshme të sëmundjeve në zonat më të ulëta. Vendosja në kodër, ka edhe disa përparësi klimatike, si përmirësimi i ekspozimit ndaj erërave mbizotëruese për ventilim. Ndërtimi në kodër, mundëson edhe shumë rrugë të arratisjes, me shumë alternativa, në rast rrethimi. Kur ndërtohet në kodër, siç ishte Kulina, kishte edhe ndikim psikologjik: pamje frikësuese e një kalaje të vendosur lart në një kodër. Kalaja e Kamenicës kishte tërheqje strategjike: majat e kodrave siguruan një pozicion strategjik mbrapa, nëse ishte e nevojshme. Kishte dukshmëri për të dalluar komunikimet nëpërmjet mjeteve të kohës, ose lëvizjet e armikut nga një pikë më e lartë e favorshme. Kalaja e Kamenicës kishte furnizimin me ujë, të kontrolluar: më e lehtë për të siguruar dhe mbrojtur burimet e ujit në terrene të ngritura. Kodra e Kalasë së Kamenicës, ishte edhe pengesë natyrore: kodrat shërbyen si barriera natyrore kundër sulmeve tokësore. Ruajtja e burimeve ishte përparësi në kodrën e Kalasë së Kamenicës: kodrat ofruan një pozicion më adekuat për të mbrojtur burimet. Parandalimi i sulmeve të papritura ishte i mundshëm në kalanë e Kamenicës: rritja e ndërgjegjësimit për sulmet e mundshme të befasishme. Shkurtimisht, ndërtimi i kalasë së Kamenicës në kodër, kishte shumë avantazhe për shkak të sigurisë, mbrojtjes, komunikimit dhe kontrollit strategjik.

Kalaja e Kamenicës apo e Dardanës, sot konsiderohet monument i trashëgimisë kulturore, historike dhe arkeologjike, duke pushuar të gjitha funksionet e dikurshme të ndërtimit. Përmes saj, ne sot gjatë vizitës, udhëtojmë së bashku nëpër periudha të ndryshme historike, kthehemi në të kaluarën dhe e krahasojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë revolucionare në çështjet e sigurisë dhe kontrollit të territorit, me ato të paraardhësve tanë. I kthehemi parahistorisë, pasi që kalatë kanë mundur të ndërtohen mbi rrënojat e një monumenti tjetër më të hershëm. I kthehemi antikitetit, sidomos atij të vonë, që periudhë e veçantë për ndërtimin e disa tipave të kalave në Kosovë, shumica të lidhura edhe me kohën e perandorit romak të Lindjes, Justinianit. Shëtisim në Mesjetë dhe në kohërat moderne. Parafytyrimet, imagjinata dhe fantazia janë më të fuqishme kur lexojmë mbi kalatë, sesa veç kur vijmë të shkrepim fotografi, të bëjmë një vizitë të thjeshtë. Sa ma thellë e lexojmë historinë e një kalaje, si të Kulinës, duket se imagjinata na vizaton para syve, edhe çfarë kanë bërë ditën e natën banorët e këtij qyteti të vogël e të vjetër, këta njerëz në kala, çfarë kanë pirë e ngrënë, çfarë kanë bërë tërë ditën disa duke ruajtur e duke vrojtuar, si ka qenë jeta e tyre…

Kalaja e Kamenicës është e njohur shkurtimisht si Kulina. Përveç emrit të Kulinës të përmendur në Kalanë e Kamenicës, Kulina përmendet edhe për lokalitetin arkeologjik kalaja në Kulinë, e periudhës parahistorike, në Teneshdoll të Prishtinës, por edhe është i njohur lokaliteti arkeologjik Kulina në Slivovë të Prishtinës, e periudhës së Mesjetës. Ndërsa zyrtarisht, në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës në vitin 2015, emërtimi është: Kalaja e Kamenicës, periudha parahistori dhe antikitet i vonë, duke pasur edhe kala të tjera në Kamenicë, si: Fortifikata-Kalaja e Krilevës, antikitet i vonë; Kalaja e Antikitetit të Vonë në Topanicë, Kalaja e Antikitetit të Vonë në Kranidell.

Kulina mund të ketë shumë kuptime. Nëse kërkojmë kuptimet në latinishten e vjetër të kohës, “culina” (në njëjës: culina/culinae/culinae/culinam/culina/culina, në shumës: culinae/culinarum/culinis/culinas/culinae/culinis), ose e shqiptuar si “kulina”, është gatim, ushqim, kuzhinë. Profesionistët e fushës, shpesh e përdorin kulinari, për gastronominë, kuzhinën, e që dikur fjalorët e gjuhës shqipe, kulinarinë, e përkthenin vetëm me gjellëtarinë. Fakti që kalaja e Kamenicës, sikur shumë kala të tjera në botë, e kanë ruajtur edhe ushqimin e tyre të grumbulluar nga armiqtë, dhe në Kulinën e Kamenicës është gjetur edhe depoja e drithërave, që mund të ketë kuptimin kulina edhe nga pjesa ku ruhej e mbrohej ushqimi. Kulin është edhe një fshat në Serbi, në komunën e Aleksinacit, në Serbi, në rajonin e Nishit, me rreth 750 banorë, afër Kosovës e Kamenicës. Ndërsa Kulina është një emër për fshatin tjetër në komunën e Derventës, Bosnjë dhe Hercegovinë, në territorin e Republikës Serbe, ndonëse para luftës në Bosnje, shumica ishin kroatë në Kulina, për të ndërruar demografia pas përfundimit të luftës. Edhe një fshat tjetër në Bosnje dhe Hercegovinë, në Komunën e Osmaçit, është me emrin Kulina, ose Kalesija. Edhe në Estoni, një fshat e ka emrin Kulina, ndërsa kulina quhen edhe indigjenët e njohur në botë, siç janë njerëzit kulina në Brazil dhe Peru, të cilët e kanë gjuhën e tyre të veçantë kulina, gjuha e tyre aravane.

Gjatë kërkimeve në Kalanë e Kamenicës, ka gjësende që datojnë nga neoliti i vonë, si gjetja e dy sëpatave të gurëve, fragmente nga një thikë stralli dhe një çekiç guri i shpuar, të sjellja nga një lokacion tjetër, ndërsa faza e antikitetit të vonë, është periudha e banimit dhe përdorimit të Kalasë së Kamenicës, ku shumica e strukturave arkitekturore të gërmuara duke përfshirë muret, kullat dhe banesat, i përkasin kësaj periudhe. Sistemi fortifikues ka dy linja ledhesh. Planimetria e mureve ndjek një model të çrregullt pasi ndjek formimin natyror të kodrës. Këto mure janë ndërtuar në një bërthamë dhe gjerësia e tyre sillet nga nga 140 cm në 210 cm, me gurët ranorë, me dimensione mesatare, të cilat janë me origjinë lokale të Kamenicës.

Milot Berisha, në Guidën Arkeologjike të Kosovës, të botuar në vitin 2012 në Prishtinë, të mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, në faqen 56, rreth pllakës së gjetur në Kalanë e Kamenicës, thotë: “Një reliev i gdhendur që tregon një skenë kortezhi funerali, që pasqyron varrimin e një burri, arkivoli i të cilit pasohet nga ajo që duket se është gruaja e tij para kortezhit, që u zbulua rastësisht në Kamenicë, në zonën e kalasë, përkatësisht në pjesën jugore në fund të kodrës së kalasë. Me shumë mundësi, skena e gdhendur e varrimit është një krijim i modeluar gjatë periudhës klasike (shek. V-IV p.e.s.), megjithatë, ajo mund të jetë gjithashtu e kryer më vonë gjatë periudhës helenistike (shek. IV-I p.e.s.). Megjithatë, skena e gdhendur e kortezhit i ngjan një zie të organizuar, si riti i zisë në masë, e praktikuar në mënyrë të organizuar grupore duke ndjekur kortezhin me pikëllim dhe vaj, një ritual që praktikohet ende në male në Rajonin e Malësisë së Gjakovës, i cili nga ana tjetër, mund të trajtohet si trashëgimia shpirtërore që ekziston edhe sot. Nga një këndvështrim tjetër, kur duke vëzhguar me kujdes figurat e gruas vajtuese të kësaj ceremonie varrimi, duket qartë se ata veshin fustane që ngjajnë me fustanin e xhubletës ilire në formën e kampaniles, e cila mund të argumentohet se ka ngjashmëri me fustanin tipik të grave autoktone, me shumë gjasa i përdorur që nga bronzi dhe ende vishet në pjesët malore dhe të largëta rurale të banuara nga shqiptarët. Stela e gdhendur (e fragmentuar) është ekspozuar në lapidariumin e parkut arkeologjik të Muzeut të Kosovës. Sa i përket veshjes ilire, një moderne tipike vendase fustani i epokës xhubleta është ekspozuar në sallë ekspozite e Muzeut Etnografik ‘Emin Gjiku’ në Prishtinë.”

Për kalatë, përveç arkeologëve, kanë rëndësi të jashtëzakonshme veçmas arkitektët. Për këtë audiodokumentar, e intervistova Besian Sylejmanin, arkitekt nga Gjilani. Përkitazi me Kulinën, Sylejmani theksoi: “Të gjitha kalatë apo kështjellat, përfaqësojnë arkitekturën e hershme si derivat i strukturave që kanë shërbyer për luftëra apo mbrojtje nga pushtuesit si dhe qëllime të tjera sa i përket organizimit të ndërtesave publike, përjashtim nuk bënë as kalaja e Kamenicës. Por për dallim nga fortesat e tjera, kjo kala dallon nga forma e organizimit të brendshëm, për shkak se kalaja mund të ketë pasur funksion të tipit të depove për ruajtjen e të korrave apo bukës, e edhe gjërave të tjera, më të cilat është shërbyer ushtria dhe komuniteti në përgjithësi, për dallim nga kalaja e Pogragjës që është tipologji e kalave që ka shërbyer për luftëra dhe pikëqëndrim i ushtrisë. Sa i përket strukturës dhe mënyrës së ndërtimit nuk kanë ndonjë dallim të theksuar (mund të kenë dallime në dimensionet e prerjeve tërthore të elementeve mbajtëse, ose trashësinë e mureve, për shkak të funksionit dhe rëndësisë për të cilën janë ndërtuar), sepse tek të gjitha kalatë përdoret i njëjti material, guri, druri dhe llaçi për muratim që kanë qenë materiale vendore dhe janë gjendur shumë lehtë dhe po ashtu forma e ndërtimit është e njëjtë. Por sa i përket mënyrës së organizimit dhe pozicionimit mund të kenë dallime të theksuara, psh. kalaja e Kamenicës ka një kullë vrojtimi, ndërsa kalaja e Pogragjës ka disa kulla vrojtimi dhe pastaj kalaja e Pogragjës mund të jetë e thelluar brenda në tokë me një organizim edhe më kompleks, me ndarje të hapësirave për nevoja ushtarake, kurse kalaja e Kamenicës mund të jetë ndërtim sipërfaqësor që ka shërbyer për atë që është e destinuar. Pastaj dallimet mund të shihen në pozicionimin e kalave në raport me njëra tjetrën, tipologji si kalaja e Kulinës, kryesisht janë vendosur në rrafshnalta, ku edhe bartja e ushqimeve për në depo ka qenë me e lehtë, kurse tipologji si kalaja e Pogragjës që kanë shërbyer për operacione ushtarake gjithmonë janë vendosur në majat më të larta dhe afër ujërave apo lumenjve. Tipologjitë e tilla të ndërtimeve si fortesat apo edhe ndërtimet të tjera prezantojnë më së miri sistemin Raumplan të ndërtimit me mure masive, ku vetë struktura paraqet dukjen e ndërtesës!”

Për hulumtim të Kulinës, vizitova edhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan. Pyeta për çfarëdo materiali që kanë për Kalanë e Kamenicës, libra, katalogë, fletushka, ose a ka ndonjë prezantim të ndonjë artefakti të Kulinës në Muzeun Rajonal të Gjilanit, por nuk gjeta asgjë aty. Muzeu ka karakter rajonal dhe duhet të përfshijë edhe artefaktet nga Kamenica. Një nga zyrtarët e QRTK-së më tha se nuk kanë asgjë, përveç mund të më referonte një emër që kishte punuar konkretisht dhe specifikisht për Kulinën, si dhe rekomandimi tjetër ishte vetëm Instituti Arkeologjik i Kosovës. Nëse asgjë nuk gjeta në QRTK-në në Gjilan, gjatë hulumtimit të audiodokumentarit, e gjera së paku një referim shumë të rëndësishëm të një arkitekteje që kishte bërë një punim masteri për Kulinën, me origjinë nga Kamenica, që do ta rekomandoja të botohet dhe të mbështetet institucionalisht nga Komuna e Kamenicës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, pasi që punimi i saj ka vlerë të veçantë, pasi mungon shumë literatura e shkruar dhe hulumtimet mbi Kulinën. Ajo është arkitektja Trëndëlinë Morina, me punimin e saj: “Qendra arkeologjike Kulina: Arkitektura Reverzibile si Artikuluese e Lashtësisë së Moravës së Poshtme”, me datë të punimit në prill 2021, me mentoren Prof. Ass. Dr. Florina Jerliun. Në punimin e arkitektes Morina, rifunksionalizimi i kësaj qendre ka për qëllim konservimin dhe rikonstruimin e hapësirave të Kulinës, dhe me anë të arkitekturës reverzibile të arrihet ruajtja e lokalitetit si dhe një pamje madhështore dhe e bukur e saj. Sipas Morinës, në Qendrën Arkeologjike Kulina në Kamenicë, me anë të arkitekturës reverzibile dhe strukturave të lehta mendohet të arrihen disa pika të rëndësishme: të mos ndërhyhet me materiale të vrazhda në hapësirën brenda dhe jashtë kalasë, të ruhet identiteti i qendrës arkeologjike, strukturat reverzibile të kenë mundësinë e montimit pa lënë dëme të parikuperueshme, të dallohet ndërtimi i kohës së sotme me të kaluarën etj.

Në punimin me referenca dhe hulumtim kuantitativ me respodentë, arkitektja Morina përmend se, Kalaja e Kulinës në Kamenicë mendohet se i përket katër periudhave kohore të trashëgimisë arkitekturore në vendin tonë. Faza më e hershme e Kalasë së Kulinës në Kamenicë mendohet se i takon periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm në bazë të disa shtresave kulturore të bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm të cilat janë fiksuar në disa kuadrate në kala, si dhe në disa sonda të cilat u gërmuan në vitin 2016, poshtë kalasë në një terren fushor. Kalaja e Kulinës në Kamenicë ka vazhduar të banohet edhe gjatë periudhës klasike dhe helenistike, kjo është dëshmuar edhe nga materialet e importit, skulpturave dhe disa shkrimeve të cilat janë gjetur në kala. Gjatë antikitetit të vonë edhe Kalaja e Kulinës në Kamenicë, është konstatuar fortifikim dhe rifortifikim së paku tri herë. Deri më tani nuk është e sigurt se fortifikimi i saj i ndërtimit të mureve është para sundimit të perandorit Justinianit të Dytë apo përgjatë sundimit të tij. E veçanta e mbetjeve arkitektonike është se në fazën fillestare të ngjitjes së mureve ato janë të ndërtuara me llaç gëlqerorë dhe gurë më kualitativ sidomos në këndet dhe në pozicionet më të veçanta. Përmasat e mureve arrinin deri në tri metra të shoqëruara me porta hyrëse, kthina si dhe kontrafora. Në fazën e mëvonshme me gjasë si pasojë e dyndjeve barbare të vazhdueshme rifortifikimi është kryer shumë shpejtë pa ndonjë kualitet të veçantë, si dhe material lidhës është përdorur vetëm balta. Gjatë kësaj periudhe duket se është mbyllur porta kryesore e kalasë, si dhe është zvogëluar porta e oborrit të dytë. Me anë të esnafeve të tyre, tregtarët dhe zejtarët i rregullonin çmimet dhe trajnimet për shegertët e tyre në Mesjetë, dhe kjo mendohet të jetë edhe faza e fundit e jetës në Kalanë e Kulinës në Kamenicë.

Po sipas burimeve të cituara të arkitektes Morina në punimin e saj të masterit, theksohet se periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellës, kala etj. Kështu, sipas Morinës dhe referencave në punimin e saj, në Kalanë e Kulinës në Kamenicë bazuar në materialin arkeologjik me elemente nga kultura proto bullgare në shek.VI-IX të erës sonë, mendohet se ishte faza e fundit e jetës në kala.

Arkitektja Morina propozon në punimin e saj, si në rastin e kalasë së Kulinës, por edhe në shumë raste të tjera të ngjashme ku kalatë janë të ndërtuara në terrene të pjerrëta dhe për të arritur tek to është një rrugë e konsiderueshme të cilën duhet ta ngjitim në këmbë, që ulëset dhe këndet e pushimit janë të domosdoshme, qoftë për të ndaluar për një pushim të shkurtër, për të mbaruar një ushqim, për të lexuar, për të pritur dikë ose thjeshtë një vend për të ndaluar që të shohim peizazhin. Sipas saj, njëkohësisht ulëset jo vetëm që janë të nevojshme por ato rrisin edhe elegancën e ambientit, prandaj duhet pasur shumë kujdes në dizajnin elegant, e po ashtu t’i përkasin tipologjisë së njëjtë në vendin ku ndodhen.

Modelet në të cilat është mbështetur për Kulinën arkitektja Morina janë shembujt ndërkombëtarë dhe vendorë, si: Vendi Neolitik Çatalhöyük, Turqi; Parku Molinete, Kartagjenë, Spanjë; dhe Parku Arkeologjik, Ulpiana, Prishtinë. Sipas Morinës, në rastin e Kalasë së Kulinës mund të shërbejnë pikërisht në trajtimin e saj, struktura e mbulesës mendohet të jetë po ashtu e ngjashme me strukturat e mbulesave të Çatalhöyük dhe Molinete, pjesa e shtigjeve të ecjes, informatave dhe trajtimit të gjetjeve arkeologjike mendohet të trajtohet si në rastin e Parkut Arkeologjik të Ulpianës. Ndriçimi po ashtu është një nga elementet kryesore e që Parku Molinete e ka të ilustruar mirë, dhe i cili mund të na shërbejë ne rastin e kalasë së Kulinës etj. Sipas Morinës, Qendra Arkeologjike Kulina ka këto karakteristika: pozicion strategjik, vendbanim dhe hangar për ruajtjen e drithërave dhe ushqimit, dëshmon për evolucionin e organizimit shoqëror dhe praktikat kulturore të njerëzimit, shtëpitë janë në grumbuj, lagjet janë pa rrugë kryesore, është i mbrojtur me rrethime, pallati i sundimtarit gjendet në rreshtimin e fundit, konsiderohet pikë turistike, janë respektuar mbetjet arkeologjike, mbetjet arkeologjike kanë ruajtur origjinalitetin në material, substancë, vendndodhje dhe vendosje, është ngritur mbi shtresa parahistorike të vendbanimit dardan, lidhej me rrugët kryesore të Dardanisë etj.

Në pyetjet që i kishte bërë para respodentëve, për gjendjen aktuale të Kulinës, të anketuarit ishin përgjigjur për arkitekten Morina: “Gjendja e tanishme e Kulinës është e kënaqshme, pasi që u bënë gërmime të pjesërishme në hapësirat e saj dhe u bë ngritja e një pjese të mureve rrethuese, si dhe u bë konservimi i atyre mureve. Një pjesë e murit të oborrit nuk është punuar ende si dhe nuk është hulumtuar pjesa më e madhe e oborrit! Nuk duhet harruar se Kulina ka edhe një oborr tjetër nga ana veriore te përroi mbrapa që po ashtu duhet hulumtuar! Punët që duhet bërë më tutje në Kulinë që ajo të bëhet më atraktive dhe e vizitueshme nga turistët janë: 1- të përfundojnë gërmimet në oborr, 2- të rindërtohet tërësisht citadela, 3- të rindërtohet plotësisht kulla e vrojtimit, 4- të rindërtohet mundësisht njëra nga hyrjet në mënyrë që të bëhet e dukshme pamja e saj e dikurshme, e cila do të bëjë shumë atraktive pjesën perëndimore të Kulinës, 5 – të bëhet rregullimi i rrugës deri në Kulinë si dhe një parking në një vend të përshtatshëm, 6- të bëhet ndriqimi pjesës së akropolit në mënyrë që Kulina të duket edhe naten, gjë që do të krijohej një pamje e mrekullueshme mbi qytet, ngase të gjitha kalatë ndriçohen! Nëse do bëheshin këto rregullime Kulina do bëhej një atraksion turistik jo vetëm për banorët e komunës tonë por edhe për të tjerët! Tani janë bërë disa meremetime duke e i mundësuar vizitorëve për të parë diçka, por mendoj që duhet të punohet edhe më shumë në infrastrukturë me qëllim të tërheqjes sa më të madhe të turistëve për këtë vend shumë interesant që e ka Dardana! Do të thotë që gjendja nuk është e kënaqshme!

Gjendja e sajë është shumë e rëndë, sikurse edhe gati të gjitha kalave të Kosovës, ku shteti nuk bënë gati asgjë për restaurimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Mendoj se është një vlerë e çmueshme e trashëgimisë. Kur të zhvishen ato mure, besoj do të dalë një mrekulli. Dhe siç është bërë në shumë kala le të restaurohen muret dhe mund të bëhet me një kosto jo fort të madhe pasi guri është në Krilevë. Gjendje e mjerueshme para konservimit edhe më e mjerueshme pas tij për shkak të punës së keqe. Nuk është në gjendje të mirë.”

            Edhe në muajin korrik 2023, që nga ngjitja deri në kala që është prerë bari, brenda Kalasë së Kamenicës, thuajse është e pamundshme të hysh nga bari i rritur dhe i paprerë. Mund të lëvizësh vetëm në muret e jashtme të kalasë, duke ecur sipër tyre, disa prej të cilave janë rindërtuar vetëm kohët e fundit me material të ri, por mirëmbajtja e Kulinës është në nivel të papranueshëm. Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Instituti Arkeologjik, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Kamenicës, janë me përgjegjësinë më të madhe institucionale për kujdesin ndaj Kalasë së Kamenicës, pa përjashtuar edhe komunitetin në përgjithësi. Nuk ekziston asnjë sinjalistikë vertikale e trashëgimisë kulturore dhe historike për vizitorët. Kalaja është në fund të tabelës për vendbanimin e Kamenicës, ku poshtë kalasë, ka shumë shtëpi të banorëve, por nuk ka as edhe një shenjë të vetme orientuese dhe informuese poshtë kodrës së kalasë, për të treguar se aty ka një kala. Vizitorët mund ta ngatërrojnë edhe shtegun e ngjitjes deri në kala, pasi edhe përgjatë shtegut mund të ketë dy rrugë, që njëra të çon në kala, e tjetra diku tjetër, pa pasur as edhe një shigjetë orientuese për të vazhduar drejt kalasë.

Ndërsa në pyetjen tjetër se çfarë aktivitetesh do të mund të zhvilloheshin përgjatë kalasë, nga 114 anketues për Kulinën, arkitektja Morina i veçon disa nga këto përgjigjet e respodentëve:

  • Aktivitete kulturoro-artistike, edukativo-arsimore, etj.
  • Mund të përdoret për organizimin e ndonjë aktiviteti rinor.
  • Mendoj që kalatë janë vetëm për vizitë.
  • Nuk besoj se duhet të mbahet ndonjë aktivitet në kala.
  • Programe kulturore e artistike, prezantime, festivale të këngëve, etj.
  • Turizëm, çiklizëm, ecje, mësonjëtore, kulturë etj. 1- Aktivitete shkollore ku do të vizitoheshin nga nxënësit e shkollave dhe do të mbaheshin orë historie, 2- Do të mund të mbaheshin manifestime dhe përkujtime me rastin e datave historike, si Dita e Pavarësisë, Flaka e Janarit e të tjera, 3- Koncerte me muzikë, simpoziume në lidhje me tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën e të tjera.
  • Vetëm aktivitete informimi rreth kalasë. Rikrijimi i jetës së periudhës në të cilën daton kalaja, duke iu mundësuar mysafirëve ta ndjejnë se si është të jetosh në atë periudhë.

Për fund, veçojmë disa nga rekomandimet e vlefshme për t’i diskutuar rreth Kulinës nga arkitektja Morina, të cilat sipas saj, nuk janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë fazës së restaurimit, e ku si pika kryesore të cilat mund të ndërmerren në kushtet aktuale janë: 

  • Largimi emergjent i barishteve dhe mbeturinave nga hapësirat brenda lokalitetit arkeologjik,
  • Muratimi emergjent ku mungojnë muret,
  • Të intervenohet në muret e dëmtuara nga depërtimi i ujit në ambient të brendshëm,
  • Të rregullohet shtresa e dëmtuar e llaçit në fasadë.

Përveç arkeologëve dhe arkitektëve, në audiodokumentarin për Kulinën, e intervistova profesorin e arteve pamore nga Kamenica, Ahmet Ibrahimin, që për kohë të gjatë është i angazhuar si profesor edhe në Fakultetin e Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Profesori Ibrahimi përgjigjet në atë se si e kujton Kulinën si fëmijë: “Si fëmijë pak më kujtohet ai fakti se në grykë të territorit ku shtrihet qyteza e Dardanës ekziston një ngrehinë që mund të jetë kala. Mirëpo, në adoleshencë kam ditur se në kodrinë në pjesën veriperëndimore në këtë pjesë të relievit të kësaj ane, gjenden muret e një fortifikate me një pyrg në pikën e fundit të murit mbrojtës  dhe hyrjes në anën  perëndimore në drejtim të Artanës, kalasë së Artanës.

Përkitazi me frymëzimet te profesorët e artit, profesori Ibrahimi përgjigjet rreth Kulinës si inspirim: Odisejada e kësaj storie është fakti se Kulina ka shëtitur në imagjinatën time dhe jo vetëm timen, por edhe të njerëzve të tjerë…. si profesorët Shaban Berisha dhe Ganimet Klaiqi! Pushteti në të kaluarën kurrë nuk ka ndërmarrë iniciativë për restaurim dhe hulumtime arkeologjike, sepse njohurit i kanë pasur se gjurmët janë ILIRO-DARDANE… dhe kjo e dhënë dhe fakt neve që ngapak kishim ndjesi për trashëgiminë dhe historinë u përforcua pak para luftës, kur patëm marr vesh se gjatë rrëmihjes së kanalit për ujësjellës në lagjen e Kullarëve që gjendet në fund  të kodrinës së kalasë, punëtoret e ujësjellësit kishin hasur në një gurë mbivarrezor! Atë masë qindrakilogramëshe me relief të skalitur e figuracione tematike të një kortezhi funeral me ritin e vajit të gjamës e kanë marrë dhe pastaj është vendosur tek oborri i kompanisë së ujit! Kjo qe një ndodhi për të cilën është folur shpesh duke u  forcuar ndjesia për kalanë, për Kulinën si diçka me vlerë edhe historike edhe nacionale si dhe trashëgimi e veçantë materiale… Profesori Ibrahimi thotë se gjithnjë ka insistuar që diçka duhet bërë në këtë drejtim dhe nuk ka qenë i vetëm, por mundësia ishte e vogël. Kjo që duhet shënuar dhe mbajtur mend se, menjëherë pas lufte, kur u vendosën strukturat e shtetit, entuziasti i pashoq Ganimet Klaiqi mori nismën që gurin mbivarrezor që ishte në oborrin e kompanisë me traktor të tij, e barti dhe u vendos në shtëpinë e kulturës “Isa Kastrati”. Aty  në holl kanë qëndruar deri para 3-4 vjetëve dhe tani gjendet në pronësi të Muzeut të Kosovës! Ka zgjuar interesim nga shumë ekspertë dhe dashamirë të trashëgimisë materiale si dhe artistëve figurativ!

Profesori Ibrahimi, kujton që në vitin 2000 u kërkua me konkurs të punohet emblema e komunës së Kamenicës dhe për mua si konkurrent e fitues i konkursit  pa dyshim motivi qendror ishte figuracioni i kalasë si inspirim dhe në mënyrë simbolike e paraqita kalanë në formë dhe simbol të rilindjes e qëndresës ndër shekuj ….këto ditë kjo emblemë i  mbush 23 vjet! Realizimi përfundimtar nuk është bërë si unë kam dashur, sepse ndërhyrjet e njerëzve tanë dhe të UNMIK –ut  që nuk kishin kompetencë ishte e madhe (nga dëshira e arsye tjera ) dhe dizajnimi ashtu mbeti, ajo që është sot në përdorim zyrtar! Vlen të theksohet se në vitet e para të pas luftës u aktualizua çështja e Kalasë së Kulinës  nga njerëz të kulturës dhe artit, duke kërkuar dhe insistuar që të bëhen investime dhe restaurim, sepse ndjehej nevoja që ky objekt me rëndësi historike, arkeologjike dhe turistike të funksionalizohet, duke e ditur se ka vlera të qëndrueshme. Në vitin 2006 në një bisedë me Gani Pirevën-përkthyes  dhe një zyrtar italian – i cili  përfaqësonte zyrën e Asociacionit për Zhvillim dhe Investime të qyteteve nga  Irlanda- Italia për Shqipëri  (Lezhë) dhe Kosovë (Kamenicë)…I pata shpjeguar për këtë thesar arkeologjik dhe kulturor e historik. Gjithashtu e pata elaboruar para tyre se si do të duhej vepruar edhe me nxënës të shkollave të mesme me filluar aktivitetin duke u mbikëqyrë nga ndonjë arkeolog nga Prishtina. I pëlqeu ideja dhe u ndamë me shpresë.  Pas dy muajve më thirri zotëriu Ganiu dhe më tha se zyreja e BE-së  ka ndarë 30.000 euro dhe duhesh të shkosh te kryetari (Shaip Surdulli ) dhe ai duhet t’i alokonte  mjetet dhe autorizonte ndonjë zyrtar rreth realizimit të fillimit të gjurmimeve dhe pastrimit të kompleksit të Kulinës! Unë shkova te kryetari dhe i them kështu e kështu rreth këtij donacioni dhe qëllimit, pasi më dëgjoi me gjakftohtësi, më tha: Kem punë ma t’meçme, jo me u marrë me gurë e rrënoja! Mbeta pa tekst dhe ika me hidhërim, sepse më theu entuziazmin dhe narracionin mbi këtë pasuri shpirtërore mbi të gjitha! Me muaj e me vite pastaj kjo gjendje më ka brengosur! Diku kah viti 2013 për herë të parë DKKRS dhe Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik filluan konservimin, pastrimin dhe grumbullimin e artefakteve që janë gjetur kryesisht në pjesën lindore tek muret e unazës së parë mbrojtëse dhe banjave. Jo vetëm unë, por te shumica e njerëzve që dinë mbi këtë kala, u entuziazmuan mbi fillimet e restaurimit –konservimit! Sipas profesorit Ibrahimi, aktualisht për këtë fazë u punua mirë, u pastruan disa pika në oborrin e kalasë, por ringritje nuk u bë, se sigurisht duhen mjete shtesë dhe ide në kahjen e restaurimit, sepse nuk ka skica dhe parafytyrim si ka qenë dhe kah duhet shkuar në këtë drejtim. Në fund, profesori Ibrahimi ka një opinion të tij personal, se shumica absolute e banorëve të Kamenicës kanë qenë ardhacakë para Luftës së Dytë Botërore, dhe se Kamenica në fillim ka qenë një lagje e serbëve kolonë 15 deri  20 shtëpi  të vendosur në arat dhe fushën që pronar ka qenë një feudal shqiptar i Koretinit (familja Hoda), i cili mullirin e ujit e ka pasur në lagjen Malësia. Vendimi që Kamenica të bëhej komunë, sipas profesorit Ibrahimi, ishte bërë si balancim ndaj Hogoshtit si vendbanim më i madh në rajon  dhe krijimi  i nië qendre administrative ku kanë qenë serbët në Kamenicë, por megjithatë gradualisht është populluar me shumicë shqiptare, duke u krijuar një frymë pozitive multietnike me të gjitha komunitetet pa dallim dhe tani e 50 vjet e mbrapa dominojnë shumica shqiptare, që janë shpërngulur nga fshatrat përreth.

Përveç ekspertëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, banorët dhe komuniteti ka rëndësi jetike për ta mirëmbajtur dhe për ta fuqizuar kalanë Kulina. E pyeta Lorë Berishën, me formim akademik nga Fakulteti i Edukimit, e gjeneratës së re, si e kujtonte kalanë Kulina, kur ishte fëmijë. Ajo u përgjigj: “Unë me informatat e kalasë së Kulinës jam njoftuar rreth moshës 12 vjeçare, ku jam informuar prej axhës tim profesor Shaban Berishës, i cili është hulumtues rreth kalasë së Kulinës. Në Kalanë e kemi vizituar në shkollën e mesme të gjithë nxënësit dhe jemi informuar nga po i njëjti profesor për veçoritë e Kalasë dhe karakteristikat. Kalaja aktualisht vizitohet mjaft shumë nga vizitorët e rrethit dhe gjithashtu nga të huaj, mirëpo nuk ka ende informata të bollshme që në Komunën e Kamenicës gjendet një Kala. Po, në shtëpinë time jemi informuar mjaft shumë për Kalanë dhe na kanë treguar se Kalaja e Kulinës ka qenë Kamenica e atëhershme dhe se kanë jetuar vendasit. Brezi im i ri aktualisht nuk është i lidhur me kalanë, sepse nuk ka shumë njohuri rreth Kulinës, për të pasur turistë më shumë duhet të kemi një guidë ku informohen vizitorët që Kulina është një kala me shumë vlera me shumë informata se, cilët njerëz kanë jetuar atje, si kanë jetuar dhe si kanë mbijetuar.”

Në të gjitha hulumtimet e kronikave televizive, por edhe gjatë punës në terren, kontribut të posaçëm konsiderojmë se ka dhënë për Kulinën, veçmas profesori Shaban Berisha-piktor. Ai ka një pasion të veçantë për Kulinën, e të cilin mund ta dëgjoni në shumë intervista televizive të masmediave kosovare. Profesori Berisha meriton mirënjohje të veçantë, sidomos për promovimin e Kulinës, sidomos në masmedie dhe te brezi më i ri, por në disa mendime dhe interpretime të artefakteve në dhe përreth kalasë, ndahem nga i nderuari Berisha dhe të tjerë, të cilët bëjnë lexime dhe interpretime bazuar në opinionet e tyre personale, rreth mbishkrimeve të gjetura në Kulinë, ose duke e interpretuar gjithçka me ndërlidhjen e teksteve të atëhershme me gjuhën e sotme shqipe, e jo me atë latine e greke.

Ajo çfarë gjykoj se ka rëndësi në interpretimin e kalave dhe artefakteve, përfshirë gjithçka që ka të bëjë me Kulinën, është përpjekja sistematike e shqyrtimit rigoroz shkencor, veçmas nga ekspertë të fushës, si nga njohës të gjuhëve të vjetra greke e latine, arkeologë, historianë, arkitektë, ndërtimtarë etj.

Kulina është këtu me ne. Pranë nesh. Dhe do të rrojë gjatë, nga shëtitja jonë në histori dhe interpretime. Historia e Kulinës veçse ka filluar dhe duhet hulumtuar shumë më shumë. Deri atëherë, le të dëgjojmë edhe interpretime shkencore, edhe amatore. Me rëndësi, të flasim gjithqysh për Kulinën.

Referencat e audiodokumentarit:

  • Berisha, Milot, “Guida Arkeologjike e Kosovës”. Publikuar në 2012 në Prishtinë, MKRS.
  • Morina, Trëndëlinë, “Qendra arkeologjike Kulina: Arkitektura Reverzibile si Artikuluese e Lashtësisë së Moravës së Poshtme” (punim masteri). Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”-Fakulteti i Arkitekturës, Prishtinë. Publikuar në prill 2021, me mentoren Prof. Ass. Dr. Florina Jerliu. Dërgim elektronik i punim-masterit pas kërkesës së autorit për audiodokumentarin.
  • Instituti Arkeologjik i Kosovës, Prishtinë.
  • Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Gjilan.
  • Muzeu Rajonal i Gjilanit, Gjilan.
  • MKRS, “Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme”, 2015. Publikuar në 2015 dhe qasur më 10 korrik 2023 në linkun: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/LISTA_E_TRASHEGIMISE_KULTURORE_NEN_MBROJTJE_TE_PERKOSHME_2015.pdf
  • Fjalori online i gjuhës latine. Klikuar për fjalën Culina. Qasur më 10 korrik 2023 në: https://www.latin-is-simple.com/en/vocabulary/noun/7452/
  • Intervistë me Lorë Berishën-edukatore dhe qytetare/banore e Kamenicës, qershor 2023, formati elektronik.
  • Intervistë me Ahmet Ibrahimin-profesor i artit figurativ, korrik 2023, formati elektronik.
  • Intervistë me Besian Sylejmanin-arkitekt, korrik 2023, formati elektronik.