FESTIVALI I TEATRIT TË SHKOLLAVE TË MESME NË GJILAN

U ORGANIZUA FESTIVALI I TEATRIT TË SHKOLLAVE TË MESME NË GJILAN

Varg e Vi, 26 nëntor 2023, Gjilan

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, pas memorandum bashkëpunimit me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për financimin e festivalit, hapi thirrjen publike për të gjitha organizatat joqeveritare kulturore për të organizuar edicionin e dytë të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme (FTSHM). Varg e Vi në partneritet me CCNO dhe OJQ “Vepro”, aplikuan së bashku me projekt të përbashkët dhe rezultuan me sukses për ta organizuar festivalin.

Në fazën e parë, filluan audicionet për nxënësit e të gjitha shkollave të mesme në Gjilan. Pas selektimit të nxënësve të talentuar për aktrim teatror, regjisorët bashkë me mentorët, në bashkëpunim me sociologun, identifikuan bashkë me nxënësit, temat që prekin problemet e të rinjve dhe nxënësve në mjedisin e shkollës, për t’i vënë në dramatizim dhe lojë skenike teatrore.

Në natën e parë të festivalit, u paraqitën në skenë, nxënësit nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, të cilët shkëlqyen me rolet, personazhet, karakteret, interpretimin dhe lojën skenike teatrore, me shfaqjen “Klasa premtuese”. Drama po bënte fjalë për dinamikat e reja bashkëkohore të mjedisit shkollor, i cili po sfidohej nga portretizimi negativ i figurës së mësimdhënësit dhe mësimdhënies tradicionale, nevojës për reformat në metodologjinë e mësimdhënies në qendër nxënësin, konfliktet ndërmjet bashkëmoshatarëve në klasë e jashtë saj, si dhe luftimin e stereotipave dhe paragjykimeve urbane ndaj nxënësve me origjinë nga fshati.

Shfaqja “Klasa premtuese” u bë me regjinë e Blendi Arifit dhe Egzona Salihut, në bashkëpunim me regjisorin Ekrem Sopin dhe aktorin Avni Shkodrën, me dramë të shkruar nga Avni Rudaku, skenografi të Din Azizit dhe me mbështetjen teknike nga punonjësit e teatrit. Në shfaqje morën pjesë nxënësit: Anisa Jakupi, Anisa Kçiku, Ardita Ajvazi, Art Hyseni, Delina Hasani, Jona Shkodra, Jonida Bllaca, Loresa Demiri, Lijana Sadiku, Rinesa Jerliu, Sherife Syla, Tuana Dushica dhe Xhengiz Yzeiri.

Në natën e dytë të FTSHM-së, shfaqja e nxënësve të mjekësisë, ishte kundër FOMO-së. FOMO është një akronim ndërkombëtar, që ka gjetur shumë përdorim veçmas me rritjen e përdorimit në masë të gjerë të medieve sociale. FOMO është një shprehje e shkurtër për “Fear of Missing Out”, e cila nënkupton një ndjenjë të thellë të frikës se po humbet diçka e rëndësishme ose e veçantë që të tjerët po e përjetojnë. Kjo fjalë është e lidhur ngushtë me zhvillimin e teknologjisë dhe shpërndarjen e mediave sociale, ku njerëzit kanë një ndjenjë më të thellë të presionit për të qenë pjesë e çdo ngjarjeje apo momenti të rëndësishëm që shfaqet në platformat e medieve sociale, ku jemi të lidhur me shokë e shoqe. Në esencë, FOMO paraqet një lloj ankthi ose stresi që shkaktohet nga dëshira e thellë për të qenë në linjë me të tjerët dhe për të mos humbur asnjë moment të rëndësishëm ose emocionues. Njerëzit që vuajnë nga FOMO mund të ndihen të shtyrë për të marrë pjesë në shumë veprimtari ose për të ndjekur trendet e popullarizuara në media sociale, edhe nëse kjo nuk është e përshtatshme për ta, ose kur nuk arrijnë të gjejnë mundësi e kohë të jenë çdoherë ku të tjerët janë. Kjo mund të shkaktojë stres dhe tension të panevojshëm, duke ndikuar në vetëvlerësimin dhe shëndetin emocional.

Shfaqja me titullin “FOMO” ishte një lojë mbizotëruese skenike, me pak tekst e përmbajtje, por që përçonte mesazhe të shumta, njëkohësisht. Katër aktore me gjysmëmaska të bardha mbi hundë e përpjetë simbolizonin konformizmin social, obediencën, presionin social, modën, trendin, “in”-in dhe një aktor me gjysmëmaskë të zezë që përfaqësonte individualitetin, unikalitetin, sjelljen moskonformiste. Për një çast, nga presioni i FOMO-së, individi humbi individualitetin, lirinë, vullnetin personal, dëshirat e tij të veçanta dhe u konformua me grupin shoqëror, shoqërinë, klasën, bashkëmoshatarët, duke lotuar për momentin e humbjes së veçantisë së tij, duke e bartur gjysmëmaskën e zezë, sikur e vajton, mallëngjehet, mërzitet.

Shfaqja arriti të përçojë mesazhin e fuqishëm kundër FOMO-së, që ne nuk duhet të humbim çastet tona të zakonshme, duke imagjinuar rrejshëm “çastet e jashtëzakonshme” të të tjerëve. Nuk duhet patjetër të ndjekim modën dhe atë që të tjerët bëjnë. Në një skenë ku individi luan pianon, është çasti kur fiton betejën me presionin social, trendin dhe modën, por më pas, i nënshtrohet grupit, presionit social, modës dhe FOMO-së. Është një skenë tejet kreative, atraktive dhe e veçantë, ku luhet në mënyrë mjaft profesionale nga nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, sikur të kishin përvojë të gjatë në teatër, me lëvizje të koordinuara shumë mirë, me vallëzim kolektiv e në sinkron, me diksion, interpretim, monologë e dialogë të zhvilluar mjaft mirë nga nxënësit-aktorë si: Blerona Halili, Arlinda Dauti, Olina Hajdini, Fatlume Selimi dhe Rozaf Ramizi. Vajzat, Blerona, Arlinda, Olina dhe Fatlumja, me gjysmëmaska të bardha personifikonin shkëlqyeshëm modën, trendin, presionin social e grupor, konformizmin social, FOMO-në, kurse nxënësi, Rozafi, me gjysmëmaskën e zezë, individin, individualitetin, luftëtarin kundër FOMO-së.

Shfaqja u bë me regjinë nga Natyrë Kallaba, me asistencë të Ekrem Sopit dhe Avni Shkodrës, tekst të Avni Rudakut, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hyseni.

Në natën e tretë të FTSHM-së, ishin tri shfaqje. Shfaqja e parë u realizua nga nxënësit e Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai”, me titull “S’je i denjë, zëvendësohesh”, me rolet nga: Adonis Shala, Ajet Ajeti, Muhamet Shala, Ulvi Kryeziu, Valton Ramadani, Olt Maloku, Juedë Shefkiu, Tuana Ismajli, Flanda Veseli, Artiola Rexhepi dhe Erolinda Salihu. Shfaqja portretizonte negativisht mësimdhënësen që nuk është profesioniste, nuk ndiqte trajnimet bashkëkohore, nuk ngjallte interesim te nxënësit për dëgjim aktiv gjatë orës mësimore dhe ekzistonte një konflikt i thellë me metodologjinë e saj të mësimdhënies, duke kaluar nga faza e rebelimit të nxënësve, shpotitjes, në fazën e parashtrimit të kërkesës për monitorim edhe nga drejtori i shkollës dhe verifikimi nga ana e tij, se nxënësit kishin të drejtë në konfliktin me mësimdhënësen pa sens pedagogjik. Drejtori ua plotësoi nxënësve dëshirat, me largimin e mësimdhënëses amatore, por nxënësit e përfundojnë skenën, me idenë që pas suksesit të parë, t’i ndërrojmë edhe mësimdhënësit e tjerë.

Shfaqja e dytë “Muzikë dhe shaka” ishte nga nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, me rolet nga: Erdi Daku, Erzë Fejzullahu, Alena Ida, Emërllah Arifi, Leona Hasani, Marigona Sylejmani, Loris Rushiti, Atdhe Rashiti, Benjamin Idrizi dhe Luan Shabani. Shfaqja ndonëse e shkurtër si e para, kishte dinamikë të jashtëzakonshme, lojë, dialogë dhe shaka në një mjedis klase, ku konflikti në mes të nxënësve dhe mësimdhënëses ishte i pashmangshëm. Nxënësit të rritur në një mjedis shoqëror me pop muzikën, tradicionale e folklorike, nuk arrinin dot edukimin estetik muzikor të muzikës klasike që promovohet nga shkolla. Shkolla e muzika klasike e humbën betejën me artin e masave të gjera shoqërore. Nxënësit ‘triumfuan’ ndaj mësimdhënëses.

Shfaqja e tretë “Prindi efikas”, shpalosi dramën e prindërve me fëmijën e tyre me varësinë nga teknologjia, celulari dhe humbja e interesimit për lexim, libër dhe suksesin shkollor. Pavarësisht kërkesave verbale të prindërve për të mësuar, drejtuar vazhdimisht fëmijës, nuk ishin model dhe shembull efikas se si duhej të edukohej fëmija, ngase vetë prindërit nuk ishin shembuj të mirë për modelim të sjelljeve të tyre nga fëmija. Nëna është e varur gjithashtu nga celulari dhe “snapchat”-i, ngjashëm që babai i varur nga alkooli, nuk arrinin dot të ishin prindër efikas për ta trajtuar varësinë e fëmijës nga teknologjia dhe rënia e motivimit për të nxënit shkollor. Mesazhi në fund ishte deklarativ nga vetë nxënëset-aktore: “Edukoni…”.

Shfaqja u bë me regjinë nga Florent Salihu, me asistencë të Ekrem Sopit dhe Avni Shkodrës, tekst të Avni Rudakut, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hysenit.

Shfaqja në natën e fundit dhe përmbyllëse të FTSHM-së, “Festivali i Muzikës Ndërkombëtare Multietnike”, u realizua nga nxënësit e Shkollës së Mesme të Artit Pamor “Adem Kastrati” dhe Shkollës së Muzikës, në rolet e luajtura nga Angelina Nienhuis, Joni Doda, Fortesa Selishta, Kujtim Sylejmani, Edi Shefkiu dhe Djevdet Aliu, me regji nga Faton Kqiku, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hysenit.

Shfaqja krijoi emocione të veçanta te publiku, me interpretimin, këndimin, anët komike, lojën skenike dhe dinamikën në dialogët ndërmjet nxënësve-aktorë. Një juri do të përzgjidhte talentët më të mirë në vokal dhe interpretim në kuadër të festivalit. U zhvillua një dramë e vërtetë për vlerësim, konkurrentët e vënë në diskutim jurinë dhe juria zhvilloi tejmase ironinë në lojë për vlerësimin e saj të konkurrentëve. Konkurrentët në festivalin garues me çmimet e vendit të parë, të dytë e të tretë, për “Zërin e kumrisë” (kumria-lloj pëllumbi me pendë e pupla në ngjyrë të kuqe të çelur, të përzier me të verdhë e të bardhë dhe me një njollë të harkuar pas qafës), kënduan këngë të mirënjohura për publikun shqiptar, e të cilat u ndërlidhën dhe u përshtatën në mënyrë të shkëlqyer me disa nga hobet e konkurrentëve, duke krijuar shumë të qeshura te publiku.

FTSHM u përmbyll me sukses me shfaqjet e shumta nga 23 nëntori e deri më 26 nëntor 2023, me pjesëmarrjen e dhjetëra nxënësve në rolet e tyre në skenën teatrore dhe qindra nxënës pjesëmarrës në sallën e kuqe të Teatrit të qytetit në Gjilan, bashkë me drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe prindërit. FTSHM mbahet për të dytin vit me radhë dhe me zotimin komunal që ky festival të jetë i përvitshëm dhe tradicional në Gjilan.

Për çdo natë, para çdo shfaqjeje, u dhanë mirënjohje për drejtorët, përfaqësuesit dhe mësimdhënësit e shkollave për bashkëpunimin e shkëlqyer në mobilizimin, organizimin, mbajtjen e provave në disa shkolla dhe motivimin e nxënësve për përfshirje aktive në festival.

Festivali vuri në pah potencialin dhe talentin e veçantë të nxënësve për aktrim dhe teatër në përgjithësi, si dhe në veçanti, për interesimin aktiv për teatër nga nxënësit.