Fole

Në projektin “Fole” të organizuar nga Varg e Vi, më 20 shtator 2019 (e premte), ora 19:00, te “Kafja e Egzonit” në lagjen “Dardania 1” në Gjilan, ofrohen dy prezantime, dy qasje, dy rrugë, dy universe, dy rende, dy familje, dy klasa, dy lloje, dy shtegtime, dy qenie, dy organizma, dy gjallesa, dy rrëfime, dy përvoja, dy mbresa që në dukje janë të ndryshme, kundërthënëse e komike, e që në thelb, shndërrohen në tragjedi.

Biologu nga Gjermania, vjen nga një mjedis ku njeriu tejkalon plotësimin e nevojave biologjike dhe bashkëjeton me kafshët e brengoset për biodiversitetin, ndërsa sociologu rritet në një shoqëri ku shtegtojnë njerëzit, dhe ku paradite një fëmijë kafshohet prej një qeni endacak e vdes tragjikisht, dhe pasdite shoqëria polarizohet: shumica e pështyjnë sistemin e disa me mllef edhe kundër kafshëve e fajësimit të tyre, dhe një pakicë që proteston për Të Drejtat e Kafshëve, sepse vjen nga universi i biologut, ose synon me të drejtë ta instalon universin e tij, këtu dhe tash. Edhe në Kosovë jetohet në dy universe paralele: dëshira si atje, pamundësia këtu!

Epilogu nuk përfundon me triumfin e njërit apo tjetrit narracion e narrator, as me zoocentrizmin (kafshët në qendër!), e as me antropocentrizmin (njerëzit në qendër!), por me biocentrizmin (jeta është në qendër!). “Fole” nuk i dhurohet as bimëve, as kafshëve dhe as njerëzve, por gjallesave në përgjithësi, madje edhe kushteve abiotike që e kushtëzojnë vetë jetën e organizmave.

Video nga Ligjerata

Liridon Hoxha – Biolog

Folësi 1:
U lind në vitin 1992 në Gjermani. Gjatë fëmijërisë së tij, i interesonte skajshëm flora dhe fauna. Kjo bëri që kur të rritej e të bëhej për studime universitare, t’i vazhdonte ato për biologji, në Konstancë të këtij shteti evropian. Hoxha ka qenë nismëtar për projektin e themelimit të Qendrës për Edukim dhe Hulumtim Mjedisor që nga viti 2014. Vjen e qëndron herë pas herë në Kosovë, si në vitin 2016 (7 muaj) dhe në vitin 2018 (5 muaj). Ka organizuar shumë grupe studimore nga Gjermania që të vijnë e të eksplorojnë natyrën e Kosovës dhe folenë e të parëve të tij. E identifikon veten si Aktivist i Natyrës, por edhe të tjerët po ashtu ia pranojnë këtë angazhim të përkushtuar.


Avni Rudaku – Sociolog

U lind në vitin 1984 në Gjilan. Studimet për psikologji dhe sociologji i përfundoi në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”. Merret me poezi, publicistikë, analiza politike, edukim mediatik, shoqëri civile, por më shumë e admiron punën pedagogjike me nxënës e me studentë. E ka pasion udhëtimin jo vetëm nëpër botë, por edhe në secilin fshat e lagje të Komunës së Gjilanit. E do të veten, por edhe të huajën; e do ngulitjen në një vend (folenë), por edhe lëvizjen. Gjatë vitit 2014-2015, përvojën e tij me azilkërkuesit kosovarë dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, e qiti në një dorëshkrim-libri me titull: “Hajmet i hanë refugjatët”