Stand Up for US/ Qefi ma i madh se Stambolli!

Varg e Vi pas një sërë projektesh kulturore brenda dhe jashtë vendit, me artistë lokalë e ndërkombëtarë, shfaqi projektin e saj të radhës “Stand up for us” në Stamboll të Turqisë, përkatësisht më 3 dhjetor 2022, ora 19:30, në Qendrën Kulturore Küçükçekmece Sefaköy dhe të Arteve Tevfik Beu, në Küçükçekmece.

Ky projekt ishte rezultat i thirrjes publike dhe mbështetjes nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës , dedikuar projekteve kulturore për diasporën dhe mërgatën shqiptare gjithandej botës. Hapjen e projektit “Stand up for us” e bëri në gjuhën turke e shqipe, aktori i mirënjohur me origjinë nga Gjilani – familja e të cilit kishte emigruar në Turqi në vitet e ’60-ta të shek. XX, Orhan Kurtuldu.

Pas njoftimit me idenë dhe konceptin e projektit para komunitetit shqiptar, aktori Kurtuldu e prezantoi Migjen Fazliun, duke e shënuar hapjen e aktivitetit me poezi autoriale në gjuhën shqipe, përmes deklamimit dhe ndarjes së poezive në gjuhën shqipe nën sfondin muzikor, në letra me ngjyra të ndryshme, duke i shkuar secilës familjes shqiptare, diçka nga krijimet poetike në gjuhën shqipe, për të fuqizuar lidhjet e komunitetit shqiptar me letërsinë bashkëkohore shqipe. Pas poezive të Fazliut, u hap Stand up comedy nga aktori Avni Shkodra, ku ndonëse një pjesë e komunitetit shqiptar në Turqi kishte sfida në të kuptuarit e çdo fjale, shprehjeje, ironie, në gjuhën shqipe, nga emigrimi aq i hershëm në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar, dhuroi shumë të qeshura pas humorit të krijuar nga Shkodra, duke lënë mbresa të jashtëzakonshme të publikut.

Pasi publiku pa shfaqjen teatrore, u nis për në hollin e Qendrës “Sefakoy”, për të parë ekspozitën “Lidhja e shkurtër” të Avni Rudakut (Rudi Fiqiruesi) me kurator Din Azizi, përmes mediumit të kombinuar fotografi-instalacion, duke nxitur diskutime dhe humor mbi diversitetin seksual, në një pjesë të shoqërisë edhe konservatore në disa tema e çështje, siç janë në Turqi, përfshirë edhe komunitetin shqiptar në këtë shtet. Projektin kulturor “Stand up for us” dedikuar diasporës shqiptare në Turqi, e përshëndeti dhe e vlerësoi lart edhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës.