Stand Up – Varg e Vi

Varg e Vi ia “zgjati jetën” publikut për 2 ditë me 6 stand-up comedy

VARG E VI 29 dhjetor 2022

Varg e Vi u shfaq me programin kulturor “Stand up”, të financuar nga thirrja publike e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ku për dy mbrëmje radhazi, kishte nga 6 stand up comedy dhe koktell e muzikë para dhe pas komedive.

Publiku gjersa po merrte biletat, kishte koktell në platenë e Teatrit të qytetit në Gjilan. Më pas, fillonte edhe shfaqja e 6 stend-ap komedive dhe pasi përfundonin komeditë në teatër, publiku pritej jashtë në platenë, me muzikë live nga Lumturie Shabani dhe Elonë Sadiku, shërbim me pije në ahengun “Ngrohtë jashtë” nga Kllapa bar përmes konstruktimit të shtëpizës prej druri nga Din Azizi, dizajn dhe brendim nga Besart Selimi, ofrimin e sallës së madhe nga Teatri i Qytetit – Gjilan, me mbështetjen e RC Cola Kosova (Fluidi Corporation) në Gjilan, me lëngje të gazuara Rc Cola, bure tavolinash e shtyp, si dhe një punë e shkëlqyeshme u bë nga angazhimi i vullnetareve si Beltinë, Edrinë Syla, Delina Hasani, Urata Nasufi dhe vullnetarit Rozaf Ramizit, nën koordinimin nga Qëndrim Kqiku dhe Florent Salihu. Varg e Vi është mirënjohëse edhe për laptopët e dhuruar nga Led-Com.CH, gjegjësisht pronarin Mehmet Sopa dhe menaxherin Refik Ramadanin, të cilat pajisje lehtësuan realizimin me sukses të projektit.

Stend-ap komedianët pjesëmarrës ishin: Esat Shabani, Ernest Zymberi, Faton Kqiku, Kushtrim Qerimi, Valina Muçolli dhe Avni Shkodra.

Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, ka theksuar se, “qëllimi i projektit ‘Stand up’ konsiston në promovimin e zhanrit stand-up comedy, nxitja e brezit të ri për kultivim të stand-up comedy-ve, përshtatjen me interesimin e publikut për të parë më shumë komedi se sa drama, si dhe nevojën për të qeshura nga një vit me inflacion dhe nga periudha postpandemike e koronavirusit.”

Në mbrëmjen e së martës dhe të së mërkurës së fundit të vitit 2022, Salla e Kuqe e Teatrit të Gjilanit ishte pothuajse e mbushur në tërësi nga artdashësit, nga interesimi i jashtëzakonshëm i publikut për zhanrin e stend ap-it edhe përmes rezervimit të tiketave përmes thirrjes telefonike. Varg e Vi ia “zgjati jetën” publikut për dy ditë, me të qeshurat që sollën stend-ap komedianët, të cilët zbërthyen temat e shtrenjtimit të artikujve ushqimorë, inflacionin, pandeminë COVID-19, ankthin e vdekjes, sfidat e kreativitetit në biznes, analogjitë e kohës së sotme me kohën e paraluftës në Kosovë e Gjilan, kritikat ndaj izolimit të gjatë të kosovarëve drejt shteteve të Bashkimit Evropian në Zonën e Shengenit dhe sfidat në hyrje të Shengenit edhe pasi pajisen me viza, ironitë me disa nga banalitetet e definicioneve mbi bullizmin, kritikat ndaj snobizmit kulturor dhe ndaj komenteve degraduese në rrjetet sociale, kritikat ndaj mendësisë kolektive lokale dhe autokritikë nacionale, prezantimin dhe goditjen e disa stereotipave, paragjykimeve dhe diskriminimeve, batutat mbi sjelljet e konsumatorëve, stilet tradicionale të rritjes së fëmijëve me metoda atipike prindërore për ulje të vetëbesimit, vetërespektit dhe vetëvlerësimit etj.

“Stand up” është projekti i fundit kulturor për vitin 2022 nga Varg e Vi, si organizata më e madhe dhe më aktive në Rajonin e Anamoravës, si dhe po vjen me projektet e reja e të ardhshme kulturore, menjëherë me fillimin e muajit të parë të janarit të vitit 2023.